“9 armë zjarri, 15 telefona, fishekë e pranga”, çka sekuestroi policia në aksionin në jug dhe veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës sot pas një aksioni në jug dhe veri të Mitrovicës ka arrestuar 16 persona nën dyshimin për veprat penale “detyrim” si dhe “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në një komunikatë të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë në Mitrovicë është bërë e ditur se hetimet kanë qenë disa mujore, dhe kontrollet janë kryer në 21 lokacione.

Nga 16 të arrestuar, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, 13 persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq”, thuhet në komunikatë.

Gjatë bastisjeve, janë sekuestruar dëshmi materiale si 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobil, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.