Kjo është mosha e personave që humbën jetën në tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 51 persona

Të vdekurit në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan janë të moshës nga 14 deri në 25 vjeç, nga Shkupi, Shtipi, Koçani dhe Probishtipi, tha sot drejtoresha e Spitalit në Koçan, Dr. Kristina Serafimovska. Në këtë spital janë hospitalizuar 20 pacientë të moshës nga 18 deri në 23 vjeç.

Drejtoresha tha se thirrjen e parë për zjarrin e kanë marrë në orën 2:48, dhe brenda 30 minutash spitali ishte plotësisht i mobilizuar. Kanë mbërritur 70 pacientë me djegie dhe helmim nga monoksidi i karbonit.

“Sollet trupa të pajetë, por kishte edhe persona që ndërruan jetë në momentin e pranimit. Meqenëse nuk kishim mjete të mjaftueshme transporti, kontaktuam të gjitha spitalet në Maqedoninë Lindore dhe filluan të mbërrinin autoambulanca nga Shkupi dhe Velesi. Pacientët me lëndime më të rënda u transportuan në Shtip dhe Shkup”, tha Dr. Serafimovska.

Sipas informacioneve fillestare, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi në Koçan se zjarri ka shpërthyer për shkak të mjeteve piroteknike që janë përdorur si efekt ndriçues gjatë koncertit të grupit DNK.

Në zjarr janë lënduar 118 persona, të cilët po trajtohen në spitalet e Koçanit dhe Shtipit, si dhe në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Klinikën e Anestezisë KARIL, Klinikën e Kujdesit Intensiv Pediatrik, Klinikën e Neurokirurgjisë, Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup dhe Klinikën e Kirurgjisë “Naum Ohri”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, deklaroi se aktualisht ka rezerva të mjaftueshme të gjakut, por do të njoftojë nëse do të ketë nevojë për më shumë donacione të produkteve të gjakut.

Kryqi i Kuq njoftoi se ka dërguar ndihma në spitalin e Koçanit, duke përfshirë batanije, shtroja dhe karroca invalidore. Gjithashtu, automjetet e Kryqit të Kuq për transport sanitar janë vënë në dispozicion të institucioneve shtetërore.

Janë hapur linja telefonike të posaçme për ndihmë psikologjike emergjente, të cilat do të jenë funksionale 24/7 në këto numra:

071/338-081 në Koçan

074/203-030 në Shtip

072/271-048 në Shkup