Kreu i Kuvendit Afrim Gashi caktoi deputeten Imërlije Saliu që të udhëheqë me komisionin për politikë sociale, demografi dhe të rinj. Ky vendim erdhi pasi Fronti Evropian nuk e ka ndërmend të propozojë kryetar të ri të komisionit ndërsa para pak ditësh deputeti Bejxhan Iljas refuzoi të udhëheqë komisionin. Në rend dite ishte vetëm një pikë, propozim ligj për sigurim pensional dhe invalidor. Duke tentuar të vendosë në votim rendin e ditës, ndërhyri deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
“Para konstatimit të rendit të ditës kam propozim për të shtuar pikë tjetër të rendit të ditës, e ajo është si pikë e parë e rendit të ditës të shtohet propozim ndryshimi i ligjit për të drejtat e posaçme të forcave të mëparshme të sigurisë të Maqedonisë së Veriut dhe familjeve të tyre me procedurë të shkurtuar”, tha Jovanka Trençevska – LSDM.
Kjo kërkesë ishte e papranueshme për udhëheqësen e komisionit dhe vendosi që të ndërpresë seancën në një afat të pacaktuar. I bëri thirrje LSDM-së që të heq dorë nga ligji për branitellat sepse siç tha, për debatin kanë përfunduar të gjitha afatet.
“Unë mendoj se debati është i panevojshëm pas situatës të cilën e shoh sepse ne si koalicion VLEN kemi vendosur që në asnjë mënyrë të mos lejojmë të futet propozim ligji për branitellat në rend dite pa përfshirjen e UÇK-së. Çdo debat tjetër jashtë kësaj mendoj se është i panevojshëm, dhe ajo që u qartësua prej fillimit që sot unë jam këtu vetëm për këtë pikë të rendit të ditës, duke shpresuar që sa më shpejtë zonja Ilire të kthehet në vendin ku ajo është kryetare e komisionit”, u shpreh Imërlije Saliu – VLEN.
“Ju jeni për të udhëhequr komisionin ndërsa për pikat e rendit të ditës ne deputetët i propozojmë”, theksoi Jovanka Trençevska – LSDM.
“Për këtë arsye unë e mbyllë këtu këtë komision në një afat të pacaktuar”, tha Imërlije Saliu – VLEN.
Deputeti Elmi Aziri nga Fronti Evropian, tha se çështja e branitellave ka përfunduar qysh në kohën kur me këtë komision udhëhiqte Ilire Dauti. Gjithçka tjetër sipas tij është teatër i panevojshëm.
“Autorizimi nga ana e kryetarit të Kuvendit të deputetes tjetër për të udhëhequr komisionin për punë sociale, demografi dhe rini, ka qenë i panevojshëm së paku nga dimensioni i korrektësisë, edhe ndaj koleges Ilire Dauti edhe ndaj Frontit Evropian si grup i dytë parlamentar në kuadër të Kuvendit marrë për bazë mënyrën se si ndahen kryetarët e komisioneve, mbi bazë të një konsulte të kryetarëve të grupeve parlamentare duke marrë për bazë numrin e deputetëve”, tha Elmi Aziri – Fronti Evropian.
Problemi me komisionin për politikë sociale filloi në nëntor të vitit të kaluar, kur deputetja Ilire Dauti refuzonte ta vendosë në rend dite propozim ligjin e branitellave, nëse nuk rregullohet edhe statusi i ish luftëtarëve të UÇK-së. Më pas Kuvendi me iniciativë të së Majtës, më 10 janar votoi interpelancë kundër Dautit si kryetare e komisionit, interpelancë e cila detyroi atë të jep dorëheqje. Që atëkohë, ky komision është pa kryetar.