Gjermania, Holanda, Suedia, Danimarka, Austria dhe Finlanda kërcënojnë se do ta bllokojnë versionin e draftit të buxhetit të ri shtatëvjeçar të BE-së për periudhën 2028-2034, nëse shpenzimet nuk ulen me “qindra miliarda” euro, raportoi “Financial Times” (FT).
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, buxheti mund të arrijë gati dy trilionë euro, ndërsa gjashtë vendet vlerësojnë se nevojitet një “reformë fundamentale”.
“Nëse shpenzimet buxhetore nuk ulen me qindra miliarda, nuk do të ketë marrëveshje për këtë vit,” deklaroi një diplomat nga një nga vendet nënshkruese.
Liderët e gjashtë vendeve mendojnë se fondet duhet të ridrejtohen drejt mbrojtjes dhe mbështetjes së kompanive inovative, duke ulur në të njëjtën kohë fondet për bujqësinë dhe rajonet më pak të zhvilluara, të cilat tradicionalisht përbëjnë rreth dy të tretat e shpenzimeve të buxhetit të BE-së.
Sipas “Financial Times”, qëndrimi i gjashtë vendeve pasqyron mospajtimet midis anëtarëve rreth prioriteteve të reja të shpenzimeve, veçanërisht financimin e mbrojtjes dhe industrive që përballen me konkurrencën nga Kina dhe SHBA.
Së bashku, këto gjashtë vende kontribuojnë me rreth 40 për qind të të ardhurave në buxhetin e BE-së. Irlanda, e cila aktualisht kryeson BE-në, duhet të përgatisë një propozim kompromisi deri në mes të tetorit, që do të pajtonte kërkesat e donatorëve më të mëdhenj neto me qëndrimin e shumicës së anëtarëve që insistojnë në ruajtjen e subvencioneve bujqësore dhe financimin e zhvillimit rajonal.
Për miratimin e buxhetit nevojitet miratim unanim nga të 27 vendet anëtare të BE-së.