Shefi i NATO-s, Mark Rutte pas qëndrimit të martën në Kosovë, do të vazhdojë turin e vizitave, duke ndaluar në Washington.
Presidenti amerikan Donald Trump do ta presë zyrtarin e lartë të Aleancës Veri-Atlantike në takim gjatë së enjtes, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë, transmeton klankosova.tv.
Derisa siç shkruan Reuters, Trumpi do të mirëpresë gjithashtu kryeministrin irlandez Micheal Martin në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, njofton Klankosova.tv.
Mark Rutte gjatë vizitës së djeshme në vendin tonë pati takime të ndara me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Ato u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në Prishtinë zhvilloi edhe një takim me një grup të mediave vendore e ndërkombëtare, përfshirë Klan Kosovën, ku u deklarua për çështjet më kritike të sigurisë dhe politikës në Kosovë, rajon e botë.
Mes tjerash, ai siguroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe presidenti Donald Trump, mbeten të përkushtuara në KFOR dhe në NATO, raporton Klan Kosova.
Ai foli edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike, dhe ujdia që akoma qëndron dhe e cila thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të angazhohet në veri të vendit pa lejen paraprake të misionit paqeruajtës, pra KFOR-it, dhe komandantit të tij.