Zola: Jam i befasuar nga Milani, nuk e prisja një sezon të tillë. I mungon ekuilibri

Asnjëherë më parë, Serie A nuk ka qenë kaq e paparashikueshme sa i takon betejës për titullin dhe vendet kryesore në renditje. Në këtë kontekst, Gianfranco Zola ka analizuar garën e kreut në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”: “Do të jetë një garë shumë e fortë deri në fund. Interi vazhdon të ecë me ritëm të lartë, Napoli po ashtu. Edhe Atalantën mund ta llogarisim gjithashtu…

Pastaj janë ekipe si Lazio, Fiorentina dhe Roma, që e bëjnë kampionatin edhe më cilësor e të hapur. Do të vendoset gjithçka në fund. Favoriti, sipas meje? Pa diskutim, Interi. Është një skuadër e fortë në çdo repart, me lojtarë të rëndësishëm”.

A është Milani zhgënjimi i kampionatit: “Sigurisht, të gjithë prisnin më shumë, sidomos pas afrimeve cilësore që u bënë në merkaton e janarit. Më ka befasuar fakti që kuqezinjtë janë në këtë situatë. Mendoj se problemi kryesor ka qenë mungesa e ekuilibrit.

Milani ka pasur periudha ku ka luajtur shumë mirë në sulm, duke shënuar shumë gola, por shpesh ka qenë i brishtë dhe këtë e ka paguar shtrenjtë, sepse i ka hequr edhe sigurinë në fazën ofensive.

Sipas meje, Milani nuk ka arritur të gjejë ekuilibrin që kanë ekipet e tjera. Për shembull, Napoli i Contes duket shumë solid. Ashtu si edhe Interi. Ky është një kusht thelbësor për të qenë në nivelet më të larta”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.