Kurti për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje: Rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Radoiçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të dielën se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera.

Kurti tha se aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, e cila udhëhiqet nga Nenad Rashiq, ministër në Qeverinë e Kurtit.

Rashiq, duke folur përkrah Kurtit në konferencë në Prishtinë, tha se autoritetet serbe i përdorin serbët e Kosovës si mekanizëm për menaxhim, por edhe si element për destruktivitet.

“Ata nuk duan që ne të kemi integrim të plotë dhe një jetë në harmoni në Kosovë, por pikërisht të kundërtën”, tha Rashiq.

Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë, sipas Kurtit.

Ai tha se këto raste janë shënuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por edhe në gjashtë komunat e tjera në jug të vendit.

“Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hir të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.

Serbia i ka mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhje në Kosovë.

Lista Serbe i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Kurti se shteti i Serbisë ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë duke e ndihmuar këtë parti.

Në një reagim në Facebook, Lista Serbe i cilësoi si “gënjeshtra brutale” akuzat që Kurti dhe lideri i partisë serbe në Kosovë, Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, Nenad Rashiq, i bënë ndaj Serbisë në një konferencë për media në Prishtinë.

“Lista Serbe është krenare që ka marrë mbështetjen më të madhe nga populli serb dhe që, pavarësisht të gjitha presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, arriti të rezistojë falë unitetit të popullit tonë, duke dëshmuar edhe një herë se nuk ka dorëzim”.

Misioni vëzhgues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit rreth 4.000 vota.

Kurti e akuzoi Serbinë për ndërhyrje hibride, përmes joshjes dhe kushtëzimit financiar, shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit për t’i detyruar votuesit të votojnë për Listën Serbe.

Ai theksoi se autoritetet kosovare “kanë identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë, i pari presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq, i dyti kryeterroristi Millan Radoiçiq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverisë e Serbisë Petar Petkoviq, Agjencia Serbe e Inteligjencës (BIA), mediat serbe të kontrolluara nga pushteti, Lista Serbe dhe strukturat e jashtëligjshme serbe”.

“Vetë presidenti i Serbisë ka nxitur çdo aktor shtetëror dhe joshtetëror serb të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Millan Radoiçiq, apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Serbia përdori “të paktën 10 metoda” për të ndërhyrë në zgjedhje, si joshja financiare përmes përfitimit të një pagesë mujore rreth 170 euro për të gjithë personat e moshës madhore, kërcënimi i humbjes së benefiteve financiare, përçarja e rivalëve të Listës Serbe, shantazhi e presionit për të mos mbështetur subjekte të tjera pos Listës Serbe, mes tjerash.