“U trupëzua i tëri në buxhet dhe humbi”, Berisha: Rama zhduku 60 milionë euro që dha qeveria franceze për gratë
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë takimit me gratë me rastin e 8 Marsit, akuzoi se “Rama është kryeministri më mizogjen në histori”.
Sipas tij, ai ka zhdukur 60 mln euro, të cilat shtoi se i dha qeveria franceze për gratë.
“Sot, po të kthehemi pas 30 vite, narkodiktaturën apo diktaturën e bandave, ato të cilat e vuajnë më shumë se të gjithë të tjerët janë nënat, gratë dhe vajzat në të gjitha aspektet. Përsëri kemi nënën me rrogë të ulët ose pensione të ulëta, që detyrohet t’i thotë djalit, vajzës, merr rrugët e botës, ndiq fatin tënd sepse nuk të mbaj dot, nuk të ushqej dot, nuk kemi të ardhura, nuk jetojmë dot së bashku.
Sepse me të ardhurat e saj është faktuar se 41 për qind e familjeve nuk ushqejnë dot fëmijët në mënyrë të përshtatshme sepse janë në limitet e varfërisë. Pra, ka një situatë dramatike të nënave dhe grave shqiptare. Ka ministre, ka deputete.
Do t’u jap një shembull, para një viti, qeveria franceze i akordoi qeverisë shqiptare 60 milionë euro të destinuara për ndihmën e grave. Ç’është e vërteta, unë e vlerësova. Po pse ku shkuan ato? Ato u futën në buxhet për t’u vjedhur.
60 milionë euro, nuk ishin pak se me 60 milionë euro mund të zbusje kreditë e mijëra grave në biznes. Me 60 milionë euro mund të mbështesje mijëra start-upe të tyre. Plus që në ato 60 milionë euro, duhet të fusje edhe ti një fond. Por ky fond u trupëzua i tëri në buxhet dhe humbi krejtësisht destinacionin e tij. U ndala këtu tek shëmbëlltyra”, tha ai.
“Edhe atëherë kishte anëtare të Byrosë Politike, edhe atëherë kishte organizatë gruaje, edhe sot ka disa ministre, por problemi është se nuk i dëgjon njëherë të flasin për problematikat e mëdha të nënave, motrave, grave, vajzave, për punësimin e tyre, për biznesin e tyre, për lehtësitë që meritojnë.
Faktikisht po të vini re fjalorin e përditshëm, janë të përjashtuara. Nuk flitet për gratë, sikur nuk ekzistojnë.
Ndërkohë ato janë absolutisht më të dhunuarat ndoshta në të gjithë Evropën. Dhuna ndaj tyre është rritur me 50 për qind e më shumë. Në rast po të marrësh shifrat e sotme të popullatës, është rritur me 100 për qind në të gjitha format. Përsëri për to nuk flitet. Nuk është e rastit.
Kryeministri Edi Rama është kryeministri më mizogjen që ka pasur Shqipëria ndonjëherë dhe që ka njohur Evropa.
Ato shpërthime që i ra tavolinës, ato janë të zakonshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Janë të zakonshme në ditën e tij të punës. Ndaj dhe ai nuk thotë një fjalë të vetme në mbrojtje, në mbështetje të grave dhe vajzave. Nuk ka një projekt të vetëm, nuk mund të tregojë kjo qeveri një projekt të vetëm me të cilin ajo lufton për suksesin e tyre”, u shpreh Berisha. /tch/