VLEN: BDI ndryshoi ligjin që ndalon personat në listën e zezë të SHBA-së ose Britanisë së Madhe të mbajnë pozita publike

Koalicioni VLEN sot akuzoi se nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i njohur për rastin “Pacienti”, po krenohet me faktin që BDI ka miratuar Ligjin për Masat Kufizuese për personat në listën e zezë. Megjithatë, sipas VLEN, ai “ka harruar” të përmendë se pikërisht BDI, gjatë qeverisjes teknike të Talat Xhaferit, propozoi dhe miratoi ndryshime në këtë ligj.

“Ishte vetë BDI që ndryshoi ligjin, duke ndaluar personat e sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe të mbajnë funksione publike. Arta Grubi, shërbëtor i Gruevskit dhe Mijallkovit, dhe Bujar Osmani, i akuzuar në rastin ‘Pacienti’, të dy shërbëtorë të klasikëve anti-shqiptarë. Njëri në arrati dhe tjetri i etur për pushtet, tani vajtojnë sepse populli i çoi në opozitë. BDI është lënë në mëshirë të fatit dhe vetëm reformat e thella mund ta shpëtojnë nga kolapsi dhe ta nxjerrin nga humnera e krimit ku është zhytur. BDI duhet të pranojë faktin dhe të vërtetën që tani është në opozitë dhe nuk mund të diktojë e të bëjë pazare për tendera me miqtë e saj,” thuhet në deklaratën e koalicionit të përbërë nga tre parti.