Sulmet me raketa ruse vrasin 3 persona në Ukrainë, teksa Zelensky përgatitet për samitin me liderët evropianë në Bruksel
Një sulm me raketa ruse në një hotel ka vrarë tre persona në qytetin e lindjes së Presidentit Volodymy Zelensky në UkrainëSulmi në Kryvyi Rih ndodhi ndërsa Zelensky përgatitet për një samit me liderët evropianë në Bruksel.
Samiti, i cili nis të enjten në mëngjes, do të synojë të rrisë mbështetjen evropiane për Ukrainën, raporton BBC. Të hënën, SHBA pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Ndërkohë që mbrëmë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se SHBA ka ndryshuar pozicionin e saj për luftën në Ukrainë, ndërsa në të njëjtën kohë duket se dëshiron të vendosë tarifa tregtare ndaj Evropës.
Ai u shpreh se siguria është bërë më e pasigurt, duke shtuar se “Evropa është tani më në një epokë të re”.
Udhëheqësit e BE do të takohen në Bruksel për këshillin e mbrojtjes
Udhëheqësit e BE-së do të takohen sot në Bruksel për një këshill të posaçëm për mbrojtjen pas një paralajmërimi nga presidenti francez Emmanuel Macron se kontinenti është në një “pikë kthese të historisë”.
Së fundmi, liderët evropianë u mblodhën në Londër për një samit të organizuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.
Përveç riarmatimit, liderët pritet të diskutojnë se si BE-ja mund të mbështesë më tej Kievin pasi Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi të hënën se do të pezullonte ndihmën për Ukrainën dhe Uashingtoni konfirmoi vendimin e tij për të ndaluar ndarjen e inteligjencës me vendin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në bisedime.
Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi një paketë të paprecedentë të mbrojtjes të hënën, duke thënë se Evropa ishte e gatshme të rriste “masive” shpenzimet e saj të mbrojtjes “me shpejtësinë dhe ambicien që nevojitet”.
Evropa po përballej me një “rrezik të qartë dhe të pranishëm në një shkallë që askush prej nesh nuk e ka parë në jetën tonë të rritur”, tha ajo.