Polici në kufirin e Bllacës kapet duke marrë ryshfet për kalim të një personit me pasaportë të falsifikuar
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standardet Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve, kundër zyrtarit policor S.F., për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 të Kodit Penal.
Më 15.12.2024, në Pikën Kufitare Bllacë e Posht
w, i kallëzuari S.F., zyrtar policor në Stacionin Policor për Pikën Kufitare Bllacë e Poshtme, ka kërkuar dhe ka pranuar para për të kryer një veprim zyrtar që nuk kishte të drejtë ta kryente. Gjatë kontrollit të personave që kalonin kufirin shtetëror drejt Kosovës, ai ka lejuar, në këmbim të shpërblimit financiar, një person të kalojë kufirin me një dokument udhëtimi të dëmtuar dhe të falsifikuar. Konkretisht, kapaku i parë i pasaportës ishte i shqyer, faqja e plastifikuar me të dhënat biometrike ishte e ndarë nga dokumenti dhe më pas ishte ngjitur mes faqeve të tjera.
Gjithashtu, i kallëzuari nuk e ka regjistruar këtë person në evidencën kufitare si person që ka kaluar kufirin shtetëror dhe nuk ka kryer kontrollet e nevojshme në bazat e të dhënave.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standardet Profesionale do të paraqesë një propozim për nisjen e procedurës disiplinore ndaj zyrtarit policor dhe do të shqiptojë masën e detyrueshme të pezullimit nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.