Hansi Flik rikthehet në stadiumin “Da Luz”, një vend që i sjell kujtime shumë të bukura dhe ku gjithmonë ka dalë fitues.Ndeshja e fundit ka qenë ajo e çmendura në fazën e Ligës, ku katalanasit ia dolën që të triumfonin 4-5 për golin e Rafinjës në minutën e fundit. Por pa dyshim, mbrëmja më e rëndësishme në stadiumin e Lisbonës ka qenë më 23 gushtin e vitit 2020, në kohën e pandemisë “COVID-19”. Në atë sezon, futbolli u luajt me dyer të mbyllura dhe Champions-i u zhvillua në Lisbonë me një “Final 8”, në të cilën Bajerni i Mynihut, që drejtohej nga Hansi Flik në atë kohë, ia doli që të shpallej kampion.
Trajneri aktual i Barcelonës ishte i zoti në atë Champions që të diktonte futbollin e tij dhe mbi të gjitha në stadiumin “Da Luz” shkatërroi Barcelonën në çerekfinalet e Champions-it me një rezultat final 2-8, që ishte një nga më të rëndët në historinë e klubit katalanas. Pastaj skuadra bavareze eliminoi Lionin 2-0 në gjysmëfinale.
Edhe pse ndeshja u zhvillua në “Hoze Alvalade”, skuadra triumfoi ndaj PSG-së së Nejmarit dhe Mbapesë në finale, me rezultatin 1-0, me një gol të Komanit. Katër vite e gjysmë më vonë, Flik aspiron që të fitojë Champions-in e gjashtë në historinë e Barcelonës. Rruga është e gjatë, por ekipi vjen në një formë shumë të mirë në fazën e 1/8-ave të Champions-it, pasi ka pasur një trajektore shumë pozitive në këtë kompeticion.
RIKTHIMI– Bëhet fjalë për rikthimin e dytë të Hansi Flikut në “Estadio Da Luz”, që nga momenti kur fitoi Champions-in, një vend ku u ngrit në majën e futbollit europian në vitin 2020. Në atë sezon, Bajerni fitoi gjashtë trofe, diçka që e kishte bërë vetëm Barcelona e Guardiolës. Tani, ai ndodhet në ekipin e katalanasve dhe do të përballet me Benfikën, skuadrën e vetme portugeze me të cilën është përballur si trajner.
Megjithatë, katalanasit janë të vetëdijshëm që kjo ndeshje është delikate, sepse Benfika i shënoi 4 gola dhe duhet marrë seriozisht për të mos pasur një rezultat surprizues që në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampioneve. Flik ka besim që mund të marrë një hov dhe të ketë fat nga stadiumi.