Ibrahimi: Kujtojmë me nderim sakrificën e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së

Me rastin e Ditës së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e thellë për sakrificën heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Epërm.

“Në këto ditë marsi, ne përkulemi me nderim para sakrificës së paimagjinueshme të Familjes Jashari, e cila u bë themeli i lirisë së re të Kosovës. Vetëflijimi i Adem Jasharit dhe 57 anëtarëve të familjes së tij tronditi botën dhe ndezi flakadanin e lirisë, që u bë i pamposhtur. Ky akt sublim nuk la indiferent as botën e qytetëruar, e cila u detyrua të dëgjojë zërin e shqiptarëve për liri dhe dinjitet,” ka theksuar Ibrahimi.

Ai ka shtuar se historia e qëndresës së Prekazit është një testament i guximit dhe vendosmërisë shqiptare për liri dhe se dëshmorët e kombit do të kujtohen përjetësisht.

“Lavdi dhe përulje e përjetshme për të gjithë dëshmorët e lirisë! Zoti i pastë pranuar në mëshirën e Tij të pakufishme,” ka përfunduar ai.