Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për përpjekjet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale.
Në fjalimin e tij të parë para të dy dhomave të Kongresit Amerikan pas rikthimit në detyrë, Trump deklaroi se ka marrë një letër nga Zelensky, ku lideri ukrainas konfirmon gatishmërinë e Kievit për negociata paqësore, raporton DPA.
“Vlerësoj faktin që ai më dërgoi këtë letër,” tha Trump, duke njohur përpjekjet e Zelenskyt për pajtim. Ai citoi fragmente nga letra, ku presidenti ukrainas thekson se është i gatshëm të punojë nën udhëheqjen e Trump për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Trump gjithashtu tha se Zelensky ka shprehur gatishmërinë e Ukrainës për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet, të cilën kërkon Uashingtoni.
Presidenti amerikan shtoi se administrata e tij po zhvillon negociata aktive me Moskën dhe ka marrë “sinjale të forta” se Rusia është e hapur për bisedime paqësore.
“A nuk do të ishte e mrekullueshme? Është koha për t’i dhënë fund kësaj çmendurie. Është koha për të ndalur vrasjet. Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte pa kuptim,” tha Trump, duke theksuar se paqja mund të arrihet vetëm përmes dialogut me të dyja palët.