Mexhiti takim me homologun e tij turk, Murat Kurum: Turqia partner i rëndësishëm në ballafaqimin me sfidat mjedisore
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot ka filluar vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë me një takim shumë të rëndësishëm me Ministrin e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum.
Gjatë takimit me ministrin Kurum, Mexhiti ka diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në drejtim të ballafaqimit me sfidat mjedisore, dhe shfrytëzimin e medelit turk të luftës kundër ndotjes së ajrit që është treguar shumë suksesshëm.
Mexhiti dhe Kurum u dakorduan që përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërshtetërore dy vendet të shkëmbejnë përvoja dhe të bashkëpunojnë ngushtë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve industriale, mbetjet e minierave, mbetjet e rrezikshme dhe mbetjet mjekësore. Gjithashtu pjesë e këtij bashkëpunimi do të jetë menaxhimi i ujërave të zeza shtëpiake dhe industriale, duke përfshirë teknologjitë e trajtimit dhe riciklimit të ujërave të zeza, sistemet e monitorimit online për objektet e trajtimit të ujërave të zeza, menaxhimi i cilësisë së ajrit, zbatimi i teknikave e praktikave më të mira për të parandaluar ndotjen nga industria, lufta kundër ndryshimeve klimatike, efikasiteti i energjisë dhe energjia e rinovueshme si dhe shumë fusha të interesit të përbashkët.
Dy palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt të bashkëpunojnë në drejtim të menaxhimit të kimikateve, zbulimit, analizimit dhe pastrimit të zonave të kontaminuara me substanca dhe kimikate të rrezikshme, në drejtim të zhvillimit të sistemeve të informacionit gjeografik për mjedisin dhe legjislacionit përkatës, mbrojtjen e natyrës dhe diversitetit biologjik në zonat e mbrojtura si dhe planifikimin, menaxhimin dhe promovimin e zonave të mbrojtura për zbatimin e aktiviteteve të ekoturizmit.
Për të arritur efektet e dëshiruara dy ministrat e mjedisit, Mexhiti dhe Kurum janë dakorduar për organizimin e programeve të vizitave shkencore të studiuesve, konsulentëve, ekspertëve dhe anëtarëve të organizatave joqeveritaresi dhe shkëmbimin e informacionit dhe dokumenteve në nivele shkencore dhe teknike në lidhje me veprimtaritë kërkimore, zhvillimore dhe aplikative. Zhvillimi i projekteve të bashkëpunimit do të bëhet përmes bashkëpunimit në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat janë palë Republika e Turqisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të mjeteve financiare të ndara për këtë qëllim.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti gjatë qëndrimit në Turqi do të ketë takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë Hakan Fidan, ndërsa së bashku me kryeministrin Hristijan Mickovski do të kenë darkë shtetërore me Presidentit Rexhep Taip Erdogan.