“Të ringrihemi si evropianë”- Gjermania kundërshton Trump: Luftën e nisi Rusia

Liderët evropianë, bashkë me kryeministrin kanadez Justin Trudeau kanë mbërritur në Kiev këtë të hënë, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës në përvjetorin e tretë të fillimit të pushtimit rus.

Në samit mbajti fjalën, dhe Presidenti gjerman Frank-Ëalter Steinmeier, i cili përmes një video-lidhjeje dënoi agresionin rus në Ukrainë, duke thënë se Rusia është përgjegjësja e vetme për nisjen e luftës.

Ai theksoi se, megjithë mbështetjen nga Shtëpia e Bardhë, Rusia nuk ka fituar asnjë centimetër legjitimitet në këtë konflikt.

“Është Rusia ajo që e filloi këtë luftë,” tha Steinmeier, duke kundërshtuar hapur presidentin Trump i cili bëri përgjegjëse Ukrainën për nisjen e luftës.

“Rusia mund të ketë fituar një “vesh që e dëgjon” në Shtëpinë e Bardhë, por ata nuk kanë fituar asnjë centimetër legjitimitet.”

Ai theksoi se zhvillimet e fundit kanë forcuar edhe më shumë vendosmërinë e Evropës.

“Dy javët e fundit vetëm sa kanë forcuar vendosmërinë tonë si evropianë. Më shumë se kurrë ne duhet të ngrihemi për veten dhe Ukrainën,” përfundoi ai.

Edhe kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, deklaroi pas fitores në zgjedhje se Evropa duhet të forcojë sigurinë e saj duke shkëputur varësinë që nga SHBA në fushën e mbrojtjes.

Merz, i njohur si një mbështetës i zjarrtë i marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në, befasoi shumë me tonin e tij të ashpër. Ai tha se administrata e Donald Trump nuk po tregon më kujdes për Evropën, duke e vënë në dyshim qëndrueshmërinë e aleancës transatlantike.

“Pas deklaratave të Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se kjo administratë nuk shqetësohet më për fatin e Evropës,” tha Merz gjatë një debati pas zgjedhjeve të dielën. “Prioriteti im absolut do të jetë forcimi i Evropës, në mënyrë që të mund të arrijmë pavarësinë nga SHBA hap pas hapi.”

Ai madje sugjeroi se NATO, në formën e saj aktuale, mund të mos ekzistojë më në të ardhmen, duke nënkuptuar nevojën për një mbrojtje të pavarur evropiane.