Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se listat e hapura duhet të jenë parimi kryesor jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe për ato parlamentare. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M, ai theksoi se ky model do të siguronte përfaqësim më të drejtë dhe më të afërt me vullnetin e qytetarëve.
“Ne jemi të mendimit se duhet të ketë lista të hapura, veçanërisht për këshilltarët, pasi kryetarët e komunave zgjidhen me modelin e shumicës. Ky sistem mund të shërbejë si një pilot projekt për zgjedhjet parlamentare, sepse është më i drejtë, më reprezentues dhe garanton që në institucione të zgjidhen ata që e kanë mbështetjen e qytetarëve,” deklaroi Mexhiti.
Çështja e reformës zgjedhore ka qenë temë e debatit politik në Maqedoninë e Veriut, me kërkesa të shumta për ndryshime që synojnë të forcojnë demokracinë dhe përfaqësimin e qytetarëve në institucione.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka theksuar se koalicioni VLEN do të mbetet unik dhe i bashkuar edhe në zgjedhjet lokale, duke garuar me lista dhe kandidatë të përbashkët. Ai madje u shpreh optimist se do jenë fitues absolut të zgjedhjeve lokale. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M, ai theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm në zgjedhjet parlamentare do të vazhdojë edhe në nivel lokal.
“VLEN-i është unik, punojmë së bashku për realizimin e programit dhe platformës, ashtu siç kemi vepruar në zgjedhjet parlamentare kur sollëm rotacion politik në kampusin shqiptar. Ashtu siç kemi bërë ndarjen e listave të deputetëve dhe organeve në qeveri, nuk shoh pengesë apo telashe që ta bëjmë të njëjtën edhe në zgjedhjet lokale,” tha Mexhiti.
Ai theksoi se në zgjedhjet lokale, përveç konceptit politik, ka rëndësi edhe përzgjedhja e individëve më të mirë për të përfaqësuar qytetarët në nivel komunal. “Do të zgjedhim kandidatët më të mirë, pasi në zgjedhjet lokale votohet edhe për individin dhe jo vetëm për konceptin politik,” shtoi ai.
Me këtë qëndrim, Mexhiti konfirmoi vazhdimësinë e unitetit brenda VLEN-it, duke forcuar pozicionin e koalicionit si një alternativë e bashkuar për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se koalicioni VLEN do të marrë vendime të mirëanalizuara për kandidatët në zgjedhjet lokale, duke respektuar parimin që partitë të garojnë aty ku tashmë udhëheqin me komunat.
“Parimisht, aty ku po udhëheqim për momentin me komunat, do të vazhdojnë kandidatët e partive përkatëse të koalicionit VLEN, por ende nuk është vendosur. Vendimet nuk i marrim duke u ngutur, por duke analizuar dhe debatuar për kandidatët më të mirë,” tha Mexhiti në një intervistë për Alsat M.
Ai sqaroi se në Tetovë dhe Zhelinë pritet të garojë Lëvizja BESA, në Gostivar Aleanca për Shqiptarët, ndërsa në Çair Lëvizja Demokratike. “Për komunat e tjera do të shohim kush si qëndron, cilët janë kandidatët dhe idetë që kanë, dhe në bazë të këtyre kritereve do të marrim vendimet përfundimtare,” shtoi ai.
“Në parim, i kemi përafruar qëndrimet dhe besoj se deri në fund të javës së ardhshme do të dalim me zgjidhjen ligjore ose me Ligjin e posaçëm për përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të shqiptarëve, pasi deri më tani ky ka qenë vetëm një mekanizëm, por jo një zgjidhje e mirëfilltë ligjore,” deklaroi Mexhiti në një intervistë për Alsat M.
Ky proces vjen në kuadër të përpjekjeve për të garantuar përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në institucionet shtetërore, duke kaluar nga zbatimi mekanik në një bazë të fortë ligjore.
“Nëse jo çdo ditë, çdo dytën ditë diskutojmë me partnerët e qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Është ndër prioritetet më të larta të VLEN-it. Ne mundohemi ta luajmë rolin e lehtësuesit në këtë drejtim, bashkë me partnerët strategjikë, dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë,” deklaroi Mexhiti në një intervistë për Alsat M.
Ndryshimet kushtetuese janë një nga temat kyçe në agjendën politike të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në kontekstin e reformave që lidhen me proceset integruese dhe përfaqësimin e drejtë të komuniteteve.