VMRO-DPMNE pas humbjes në Bërvenicë: “Të vetëm kundër të gjithëve”, kundërshtarët luajtën kartën e nacionalizmit

VMRO-DPMNE e ka pranuar humbjen zgjedhore në Bërvenicë, por ka akuzuar kundërshtarët politikë se zhvilluan fushatë të bazuar në ndarjet etnike, në vend të projekteve konkrete për zhvillimin e komunës.

Zëdhënësi i partisë, Valentin Manasievski, në një konferencë për media falënderoi qytetarët që mbështetën kandidatin e tyre, Stojançe Radiçevski, duke theksuar se partia është e kënaqur me votat e fituara, ndonëse ato nuk mjaftuan për fitore.

Sipas Manasievskit, BDI gjatë garës zgjedhore përdori retorikë nacionaliste, ndërsa në raundin e dytë mori mbështetje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga LSDM-ja, Levica dhe VLEN-i.

“Derisa ne theksuam fuqinë e unitetit për një Bërvenicë për të gjithë, kundërshtarët tanë e shfrytëzuan maksimalisht nacionalizmin dhe u bënë thirrje qytetarëve të votojnë mbi bazën e përkatësisë etnike, e jo të programit, vizionit dhe projekteve”, deklaroi Manasievski.

Ai pretendon se VMRO-DPMNE ka fituar 1.300 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, duke e cilësuar këtë si rritje të mbështetjes për partinë.

Manasievski kritikoi edhe koalicionin VLEN, duke vlerësuar se ai e humbi mundësinë për të dëshmuar një qasje ndryshe politike nga BDI-ja.

Ndërkaq, kandidatët e LSDM-së dhe Levicës i cilësoi si “kuaj trojanë” në favor të BDI-së, duke i akuzuar se kontribuuan në përçarjen e elektoratit.

“Të vetëm kundër të gjithëve. E respektojmë rezultatin, ndërsa vullneti i qytetarëve është i paprekshëm”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.

Pavarësisht humbjes, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Bërvenica nuk do të harrohet dhe se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e komunës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo