Palestinezja e përqafon për herë të parë babain e saj pasi u lirua nga Izraeli

Rreth 60 të burgosur palestinezë u liruan nga Izraeli në Ramallah të Palestinës.

Ndër ata që u liruan dhe shijuan lirinë për herë të parë në 22-vjet ishte edhe 47-vjeçari Hussain Nassar, i cili u arrestua në vitin 2003 për pjesëmarrje në kryengritjen e dytë palestineze.

Atje për ta takuar ishin vajzat e tij, 22-vjeçarja Hedaya dhe Raghad, e cila është 21 vjeç. Të dyja ishin të veshura me fustanet tradicionale kuq e zi nga Nablus, vendlindja e tyre.

Vajza më e vogël kishte thënë se ishte e pamundur të përshkruhej një jetë kaq e gjatë pa babanë e saj.

“Kjo është hera e parë që do ta prek. Do ta përqafoj. Nuk mund t’i shpreh ndjenjat e mia.”

Pothuajse e tronditur nga emocioni i takimit me babanë e saj, ajo tha “izraelitët e arrestuan atë kur nëna ime ishte shtatzënë me mua. Ndjej sikur kjo është hera e parë që do ta di se si është të kesh baba!”.

Për të parë momentin në fjalë klikoni këtu.

Midis 110 të burgosurve palestinezë të liruar në këtë fazë të asaj që është ende një armëpushim i brishtë, ishin disa gra dhe fëmijë – më i riu prej tyre 15 vjeç.

Disa prej tyre u akuzuan për vepra relativisht të lehta, të tjerët nuk ishin dënuar apo akuzuar zyrtarisht.

Por 21 të burgosur të dënuar për veprat më të rënda, përfshirë vrasjen, nuk u lejuan nga Izraeli të ktheheshin në shtëpi në territoret palestineze dhe u internuan në Egjipt ose në vendet fqinje.

Një figurë e lartë që nuk u dërgua në mërgim, pavarësisht se u dënua për përfshirjen e tij në vdekjen e disa izraelitëve, ishte Zakaria Zubeidi.

Për guvernatoren e Ramallah dhe El Bireh, Leila Abu Ghanam, ky kthim në shtëpi për kaq shumë ish të burgosur ishte një rast për të festuar.

Por ajo kishte emocione të përziera ndërsa operacionet ushtarake izraelite intensifikohen në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe armëpushimi i Gazës është ende nën tension, shkruan BBC