Izet Mexhiti paralajmëron unifikimin e VLEN-it si një parti politike

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se koalicioni VLEN po funksionon me sukses dhe se ekziston mundësia që pas zgjedhjeve lokale të shndërrohet në një parti të vetme.

Në intervistën për emisionin “Samo Intervju” në Kanal 5, Mexhiti theksoi se VLEN ka arritur të ndërtojë një model të suksesshëm bashkëpunimi mes partive të ndryshme, duke funksionuar në mënyrë efikase si në fushatë, ashtu edhe në hartimin e programit qeveritar dhe bashkëqeverisjen.

“BDI është pjesë e Frontit Evropian, një koalicion me parti të ndryshme etnike. Në politikë nuk është e thënë të ketë një lider të vetëm. Ne, si VLEN, po funksionojmë mirë në këtë format – qoftë në fushatën e përbashkët, në hartimin e planprogrameve apo në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje,” tha Mexhiti.

Ai shtoi se me forcimin e secilës parti brenda koalicionit, forcohet edhe VLEN-i si një tërësi. Prioriteti i tyre kryesor mbetet realizimi i programit qeveritar, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë me kandidat dhe lista të përbashkëta.

“Me shumë gjasë, pas zgjedhjeve lokale do të bashkohemi në një parti të vetme – VLEN,” deklaroi Mexhiti, duke lënë të hapur mundësinë e një transformimi të rëndësishëm në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.