Planifikuan grushtin e shtetit, Venezuela arreston “dy mercenarë” amerikanë

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro njoftoi se autoritetet kishin arrestuar shtatë “mercenarë”, përfshirë dy shtetas amerikanë, për planifikimin e dyshuar të akteve terroriste në vend.

“Sot, ne kemi arrestuar shtatë mercenarë të huaj, përfshirë dy mercenarë të shquar nga SHBA-ja”, tha Maduro në një fjalim televiziv, duke shtuar: “Ata po planifikonin të kryenin akte terroriste kundër paqes në Venezuelë”.

Mes të arrestuarve janë dy amerikanë, dy kolumbianë dhe tre ukrainas. Megjithatë, Maduro nuk bëri të ditur identitetin e tyre apo akuzat specifike kundër tyre.

Ai pretendon se individët kishin komplotuar veprime të dhunshme përpara inaugurimit të tij të planifikuar për të premten, të cilat grupet opozitare e quajnë të paligjshëm.

Tensionet janë rritur ditët e fundit pasi presidenti amerikan Joe Biden priti liderin e opozitës Edmundo Gonzalez Urrutia në Washington. Gonzalez ka vizituar gjithashtu Argjentinën, Panamanë dhe Republikën Domenikane, duke kërkuar mbështetje rajonale nga vendet që njohin pretendimin e tij për presidencën.

Opozita u ka kërkuar venezuelianëve të protestojnë të enjten për të bllokuar ceremoninë e betimit të Maduros.

Të hënën, qeveria deklaroi se kishte arrestuar 125 persona për aktivitete të supozuara anti-qeveritare.