Zelensky: Mbi 3 mijë ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë ose plagosur në Kursk

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, thotë se numri i ushtarëve të Koresë së Veriut që janë vrarë ose plagosur, që po luftojnë krah forcave ruse në rajonin e Kurskut në Rusi, e ka kaluar shifrën 3 mijë.

Ai në fjalimin e mbajtur të hënën në mbrëmje, deklaroi se bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë mes Rusisë dhe Koresë së Veriut mund të çojë në destabilizimin e Gadishullit Korean dhe rajoneve përreth.

“Ka rreziqe që Koreja e Veriut të dërgojë ushtarë dhe pajisje ushtarake të tjera për të mbështetur ushtrinë ruse, dhe ne do të kemi përgjigje të prekshme ndaj kësaj”, u shpreh Zelensky.

Më herët të hënën, Shtabi i Përbashkët i Ushtrisë së Koresë së Jugut (JCS) tha se Pyongyang po planifikon të dërgojë mbështetje ushtarake shtesë për Rusinë për të ndihmuar në pushtimin e plotë të Ukrainës, sipas agjencisë Yonhap.

Kjo mbështetje mund të përfshijë ushtarë shtesë dhe armë, përfshirë dronë kamikazë, shkruan Euronews.com, përcjell Klankosova.tv.

“Një vlerësim i plotë i inteligjencës ka treguar se Koreja e Veriut po përgatitet të rrisë dislokimin e trupave (në Rusi) dhe po dërgon raketa 240 mm dhe artileri të vetëngarkueshme 170 mm”, tha JCS.

Po ashtu, Shtabi i Përbashkët theksoi se dronët vetëvrasës janë një nga prioritetet e liderit korean Kim Jong Un.

Këta dronë janë përdorur gjerësisht në luftën e Rusisë në Ukrainë, dhe Kim ka urdhëruar prodhimin masiv të armëve ajrore, duke përditësuar teorinë dhe arsimin ushtarak, duke i lidhur këto hapa me konkurrencën globale që po shtohet, sipas mediave shtetërore.

Ky informacion vjen pas deklaratës së Zelenskyt, i cili tha se Ukraina ka vlerësuar se rreth 12 mijë ushtarë koreanë të Veriut ndodhen në Rusi.

Vlerësimi i tij për mbi 3 mijë ushtarë të vrarë dhe të plagosur, që ai tha se vjen nga inteligjenca ukrainase, është një rritje e konsiderueshme krahasuar me raportet e fundit të viktimave koreanë të Veriut.

Sipas JCS, të paktën 1 mijë e 100 ushtarë janë vrarë ose plagosur, një informacion që përkon me raportet e agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut të javës së kaluar, sipas të cilës rreth 100 ushtarë koreanë të Veriut janë vrarë dhe 1 mijë të tjerë janë plagosur në rajonin e Kurskut.