Zëvendësministri i bujqësisë Flakron Bexheti, mori pjesë në konferencën “Kultivimi i Frutave Jodrurore dhe Mbështetja e Zhvillimit të Turizmit i Bazuar në Natyrë në Rajonin e Sharrit,” organizuar nga shoqata Renesansa. Konferenca u mbajt në kuadër të projektit “Mbrojtja e ambientit jetësor dhe promovimi i turizmit malor,” i financuar nga CNVP Foundation dhe Prespa Ohrid Nature Trust – PONT.
Gjatë konferencës, Zëvendësministri Bexheti theksoi rëndësinë e rajonit të Malit Sharr për zhvillimin ekonomik dhe natyror, duke nënvizuar se turizmi malor dhe produktet jodrurore janë shtylla kyçe për të ruajtur mjedisin dhe për të përmirësuar kushtet ekonomike të komuniteteve lokale.
Ai vuri në dukje se Ministria e Bujqësisë mbështet këto sektorë përmes Programit për Mbështetje Financiare në Bujqësi, i cili ofron subvencione për mirëmbajtjen e pemishteve dhe kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike, si dhe pagesa shtesë për produktet e dorëzuara në kapacitetet përpunuese.
“Angazhimi ynë për të mbështetur çdo nismë që promovon zhvillimin e turizmit dhe kultivimin e produkteve vendore do të vazhdojë, duke kontribuar në ringjalljen e ekonomisë në këtë rajon të mrekullueshëm,” deklaroi Bexheti.