Një grua digjet për vdekje në trenin e metrosë në Nju Jork

Policia u thirr në stacionin Coney Island-Stillwell Avenue në Brooklyn pasi një gruaje në një makinë të metrosë iu vu zjarri.

Një burrë është arrestuar në Nju Jork në lidhje me vdekjen e një gruaje, e cila u dogj për vdekje në një tren metroje në Brooklyn.

Komisionerja e Policisë, Jessica Tisch, e përshkroi incidentin si “një nga krimet më të shëmtuara që një person mund të kryejë ndaj një qenieje tjetër njerëzore”.

Sipas saj, gruaja ndodhej në një tren të linjës F në Brooklyn kur një burrë iu afrua dhe përdori një çakmak për të ndezur rrobat e saj.

Viktima ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa i dyshuari u arrestua më vonë pas një njoftimi nga disa nxënës të shkollës së mesme, të cilët e identifikuan atë në një tren tjetër.

Policia raportoi se incidenti ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit me orën lokale (12:30 GMT) në stacionin Coney Island-Stillwell Avenue.

BBC, raporton se burri dhe viktima nuk kishin asnjë ndërveprim apo lidhje të mëparshme, transmeton Klankosova.tv.

“Ishte një pamje e tmerrshme,” tha Tisch.

“Oficerët që ndodheshin në një nivel më të lartë të stacionit ndjenë erë tymi dhe panë flakë. Kur arritën te vendi i ngjarjes, panë një person të përfshirë plotësisht nga flakët brenda trenit”.

Policia po punon ende për të identifikuar viktimën dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.

I dyshuari, i cili nuk është identifikuar publikisht, qëndroi në vendngjarje dhe u ul në një stol pranë trenit, gjë që i lejoi oficerët ta vëzhgonin qartë përmes kamerave të sigurisë.

Më vonë, tre të rinj telefonuan 911 për të raportuar se e kishin njohur të dyshuarin në një tren tjetër.

Ai u arrestua në stacionin Herald Square në Manhattan dhe iu gjet një çakmak në xhep.

I dyshuari, është një emigrant nga Guatemala që kishte ardhur në SHBA në vitin 2018, i cili po merret në pyetje, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e sulmit dhe gjendjen e viktimës para incidentit.