KQZ-ja pritet t’i certifikojë sot 17 subjekte politike

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e cila mbahet nga ora 13:30 është certifikimi 17 subjekteve politike me 674 kandidatë.

Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’ju konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me certfikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.

Javën e kaluar, KQZ-ja ka certifikuar 11 subjekte politike me gjithsej 606 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Gjatë periudhës së aplikimit të subjekteve politike (1 shtator – 11 dhjetor 2024), 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, njofton Klankosova.tv.