BDI: Hipokrizia e “S’Vlen” ndaj Diasporës Shqiptare

“Mirë se vini bashkëatdhetarë!” – Thirrje të zbrazëta nga një qeveri që, me vendime politike, ka fshirë ekzistencën dhe rëndësinë e diasporës shqiptare.

Kjo qeveri njëetnike nuk nguroi të manipulojë formulën e llogaritjes për shqiptarët, duke ulur përqindjen nga 29.4% në 24.5%, vetëm sepse refuzoi të përfshijë regjistrimin historik të diasporës në censusin e fundit.

Ky vendim ka pasoja të drejtpërdrejta:

• Reduktimi i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike, duke përfshirë administratën shtetërore dhe organet vendimmarrëse.
• Shkurtimi i buxhetit për komunat shqiptare, pasi ndarja financiare nga buxheti qendror tani bazohet në një përqindje të ulur të popullsisë.
• Pakësimi i numrit të këshilltarëve komunalë në komunat shqiptare, duke cenuar zërin e komunitetit tonë në nivel lokal.

Ato dhjetra mijëra bashkatdhetarë që luftuan për t’u regjistruar, për të dëshmuar praninë dhe forcën e tyre, tani janë fshirë me një vendim të njëanshëm.

Diaspora shqiptare nuk është thjesht një numër.

Ajo është shtylla financiare e këtij vendi, duke dërguar miliarda remitanca për vite me radhë.

Ajo është lobimi politik që ka çuar përpara interesat e shqiptarëve në botë.

Ajo është identiteti ynë kombëtar, krenaria dhe lidhja jonë me rrënjët.

Por për këtë qeveri, diaspora nuk vlen. Me një vendim të vetëm, ata shumëzuan sakrificën e saj me zero.

Dhe tani, në prag festash, kanë guximin të hedhin slogane dhe lot krokodili, duke mirëpritur ata që i kanë fshirë nga çdo e drejtë dhe llogaritje.

Hipokrizia e “S’Vlen” nuk ka kufij! Por shqiptarët nuk harrojnë.

Diaspora është pjesë e pandashme e kombit dhe askush nuk mund ta fshijë atë nga historia dhe e ardhmja jonë.

Shkurt e shqip: Vleni S’Vlen!