Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie, përkatësisht Inspektorin Llesh Tusha që ushtronte detyrën në Komisariatin e Mirditës dhe Inspektorin Jaçe Reçka, me shërbim në Policinë e Gjirokastrës.
Një nga policët akuzohet për disa vepra penale si “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërsa, efektivi tjetër akuzohet për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.
“AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie
Agjencia e Mbikëqyrjes policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor L.T., me detyrë Paturllë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mirditë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.
Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit në “Rugën e Kombit” është përplasur me një automjet tjetër duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkolit rezultoi pozitiv.
Gjithashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Gjirokastrës, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ish- bashkëshortja ka denoncuar punonjësin e policisë për shkelje të urdhërit të mbrojtjes, duke i vajtur në banesë dhe gjithashtu i ka marrë një valixhe ku ndodheshin një sasi prej 5 milionë lekësh.
Pas marrjes së kallëzimit, u kryen veprimet hetimore dhe nga kontrolli në banesën e shtetasit SH. A. (kunati i punonjësit të policisë J. R.) u gjend valixhja dhe një portofol me shumën prej 8 000 Euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vazhdim të veprimeve nga kontrolli i banesës së tij në qytetin e Gjirokastrës, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 287 fishekësh pistolete të tipit TT, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe 1 palë pranga.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511”, njofton policia.