Policia e Kosovës më Ferizaj njofton se gjatë ditës së djeshme është informuar se një 32-vjeçar me inicialet G.B. me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave.
Në kumtesën për media theksohet se ai dyshohet që me datën 08.12.2024, tek rrethrrotullimi që të dërgon në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, me veturë ka shkaktuar aksident komunikacioni rrugor dhe ka raportuar se janë lënduar edhe dy bashkudhëtarët e tij.
Hetuesit rajonalë i kanë zgjeruar hetimet dhe në bazë të shikimit të kamerave të sigurisë në vendin e aksidentit të raportuar, dyshohet se qëllimisht shoferi e ka rritur shpejtësinë e veturës, duke e goditur një veturë tjetër.
Tutje gjatë zhvillimit të hetimeve, hetuesit kanë siguruar të dhënat shtesë se i dyshuari G.B në periudha të ndryshme ishte përfshirë në 19 aksidente të komunikacionit rrugor, 10 prej tyre në rrethrrotullime dhe kryesisht si viktimë ( i lënduar) i rasteve, ndërsa edhe dy persona tjerë (pasagjerë) në disa raste të këtyre aksidenteve dyshohet se kishin inskenuar rastet se janë lënduar.
I dyshuari në të gjitha rastet kishte përdorur veturat të cilat i kishte marrë me qira.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.