Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku është shprehur se me të kryeministër, do të ketë ristrukturim të Policisë së Kosovës me 10 mijë policë në uniformë, ose siç tha, mbi 2 mijë policë më shumë se sa kemi tani.
Ndërkaq, sa i përketë mbrojtjes, ai tha se do të ketë partneritet për Paqe dhe shtrim të rrugës drejt NATO-s, përcjell Klankosova.tv.
“Me mua si Kryeministër, do të kemi: Në Siguri: Ristrukturimin e Policisë së Kosovës me 10,000 policë në uniformë, ose mbi 2,000 policë më shumë se sa kemi tani. Pajisjen e Policisë me 1,200 vetura të reja dhe me kamera trupore për të gjitha patrullat. Policimin në bashkësi si nocion ku siguria ndërlidhet dhe ndihmohet në një masë të madhe nga qytetarët e vendit”.
“Në Mbrojtje: Partneritet për Paqe dhe shtrimin e rrugës drejt NATO-s. Rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të BPV-së sipas standardeve të NATO-s. Ristrukturimin e FSK-së me 6,000 trupa aktive dhe me ndërtimin e 4 kazermave të reja ushtarake në rajone strategjike”.
“Arsimimin ushtarak në shkolla civile për të krijuar bazë të fortë për rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe të dalluar. Ndërtimin e vendbanimeve për personelin ushtarak me afërsi fizike të personelit ushtarak me objektet dhe pajisjet ushtarake për kohë më të shpejtë të reagimit”, shkroi ai.
Ndërkaq, për drejtësi, Abdixhiku tha se do të bëhet themelimi i Qendrës Shtetërore të Hetimit për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.
“Në Drejtësi: Veting në sistemin e drejtësisë. Themelimin e Qendrës Shtetërore të Hetimit për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Digjitalizimin e plotë të proceseve në drejtësi për një sistem më efikas dhe transparent, dhe si hap thelbësor për suksesin e reformave të sistemit të drejtësisë”.
“Kosova ka nevojë për një ushtri moderne, për një polici të pajisur e të aftë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, dhe për një sistem drejtësie të drejtë. Me programin tonë, me ekipin e fitores, dhe me besimin qytetar në rritje do ta ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”, ka shkruar ai.