Zyrtarët serbë instaluan spyëare në telefonat e dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve, tha Amnesty International në një raport të publikuar të hënën, duke cituar prova dhe dëshmi të ekspertëve dixhitalë nga aktivistët që thanë se ishin hakeruar muajt e fundit.
Në dy raste, softueri i ofruar nga kompania izraelite e mbikëqyrjes Cellebrite DI Ltd është përdorur për të zhbllokuar telefonat përpara infektimit, thuhet në raport.
Spyëare serb, i quajtur “NoviSpy” nga Amnesty, më pas mori pamje të fshehta të pajisjeve celulare, kopjoi kontaktet dhe i ngarkoi ato në një server të kontrolluar nga qeveria, thuhet në raport.
“Në shumë raste, aktivistët dhe një gazetar raportuan shenja të veprimtarisë së dyshimtë në telefonat e tyre celularë direkt pas intervistave me policinë serbe dhe autoritetet e sigurisë,” tha Amnesty.
Ministria e Brendshme e Serbisë, Ministria e Jashtme dhe agjencia e inteligjencës BIA nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment të bëra më 12 dhjetor.
Të hënën, BIA publikoi një deklaratë në faqen e saj të internetit, e cila tha se raporti i Amnesty përmban “deklarata të pakuptimta” dhe se BIA funksionon brenda ligjit vendas.
Produktet Cellebrite përdoren gjerësisht nga organet e zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, për të zhbllokuar telefonat inteligjentë dhe për të gjetur aty prova ose të dhëna të ndryshme sekrete. Shefi i marketingut i Cellebrite, David Gee tha se po hetonte akuzat e Amnesty.
“Nëse këto akuza do jenë të sakta, kjo mund të jetë në kundërshtim me marrëveshjen tonë të licencës së përdoruesit fundor”, tha Gee për Reuters.
Nëse do jetë kështu, tha Gee, Cellebrite mund të bllokojë autoritete serbe nga përdorimi i teknologjisë së saj.
Futja e softuerit të mbikqyrjes në pajisje “nuk është absolutisht ajo që ne bëjmë”, tha Gee. Ai shtoi se Cellebrite kishte filluar të kontaktonte zyrtarët serbë, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.
Ekspertiza
Një nga aktivistët e paraqitur nga Amnesty në raport tha se kishte vënë re se kontaktet në telefonin e tyre ishin eksportuar menjëherë pas një takimi me BIA-n.
Aktivisti i tha Reuters se ata ua treguan telefonin e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore dixhitale, të cilët zbuluan se spyëare NoviSpy kishte eksportuar kontaktet e tyre dhe kishte dërguar foto private nga pajisja e tyre në një server të kontrolluar nga BIA.
Sipas Amnesty, Serbia mori pajisje për zhbllokimin e telefonave nga Cellebrite si pjesë e një pakete më të gjerë ndihme të krijuar për të ndihmuar Serbinë të përmbushë kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian.
Kjo paketë, e cila u financua nga qeveria norvegjeze dhe e administruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS), iu dha Ministrisë së Brendshme të Serbisë nga viti 2017 deri në vitin 2021 për të ndihmuar Serbinë të luftojë krimin e organizuar, thuhet në raport.
Qeveria norvegjeze ndaloi përkohësisht dërgimin e pajisjeve Cellebrite në Serbi në vitin 2018, tha Amnesty. Ambasada Norvegjeze në Beograd gjithashtu ngriti shqetësime rreth programit, shtoi raporti, por UNOPS përfundimisht i dorëzoi pajisjet në qershor 2019.
“Pretendimet e bëra në raport janë alarmante dhe, nëse vërtetohen, janë të papranueshme”, tha për Reuters zëvendësministrja e Jashtme e Norvegjisë, Maria Varteressian.
“Ne do takojmë autoritetet serbe si dhe UNOPS-in në fund të këtij muaji për të marrë informacione të mëtejshme mbi këtë çështje”.
“Ne presim që UNOPS të hetojë akuzat,” shtoi ajo.
UNOPS tha në një deklaratë se përshëndeti raportin e Amnesty dhe tha se agjencia kishte që nga viti 2017 “mekanizma të përmirësuar të mëtejshëm për të vlerësuar dhe zbutur efektet e mundshme negative”. Agjencia nuk dha hollësi mbi këto masa.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani