Në Bruksel për negociatat/ Rama kryeson delegacionin, të martën mbahet konferenca e tretë me BE

Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar, i cili të marten e 17 dhjetorit do të udhëtojë drejt Brukselit, për konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Shqipëria do të hapë negociatat për klasterin e 6-të “Marrëdhëniet me Jashtë”, që përfshijnë politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Grup-kapitull ky që parashikohet të përmbyllet më shpejt në negociata edhe përshkak se vendi ynë ka qënë në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të BE-së, kryesisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë apo edhe për cështje të tjera që lidhen me sigurinë e kontinentit europian apo me politikën e jashtme të tij, përfshirë edhe qëndrimin për konfliktin në rripin e Gazës.

Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksenburg më 15 tetor, ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit ose thëne ndryshe “Themeloret” që përfshinin Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Drejtësinë, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.

Këto do të cilësoheshin edhe si kapitujt më të rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BashkimiT Europian jo vetëm përshkak të sfidës politike por edhe përshkak të rolit që do kenë institucionet e pavarura kryesisht të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, terrorizmit apo edhe standartet që duhet të ofrojnë organet ligjzbatuese.

Rrugëtimi Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, i cili mori dakortësinë në marsin e vitit 2020, ka rezultuar i suksesshëm por jo me pak sfida dhe vështirësi nga ana e unionit, të cilët për shumë vite e lidhën fatin e Tiranës me atë të Shkupit, dhe vetëm para dy muajsh, Shqipëria u nda nga Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë edhe pse hapja e kapitujve për Shqipërinë erdhi pas një pritjeje të gjatë, kryeministri Rama, jo në pak raste ka shprehur optimizmin që procesi i negociatave të përfundojë në 2027, në përmbushje edhe të ambicies së qeverisë së tij që në 2030, Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian./abcnews.al