Mbrëmjen e 29 nëntorit, kanali i Ibër Lepencit u sulmua, ku pësoi dëme të mëdha kjo infrastrukturë kritike e Kosovës.
Si i dyshuar kryesor për këtë shpërthim, është Dragisha Viçentijeviq. Gjykata Themelore e la atë në paraburgim për 30 ditë, transmeton Klankosova.tv.
Por gazetari korrespodent, Urall Boshnjaku sjell detaje të reja mbi këtë ngjarje.
“Bëhet fjalë për Dragisha Viçentijeviq, njëri nga të dyshuarit kryesor për shpërthimin që ka ndodhur në kanalin e Ibër Lepencit. Atij Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar masën e dënimit prej një muaji paraburgim, nën dyshimet se i njëjti ka kryer tri vepra të ndryshme penale. Ai ngarkohet me veprën penale rrezikimi i rendit kushtetues për shkatërrimin e pajisjeve publike, të cilat janë me rëndësi vitale për Kosovën. Dyshohet po ashtu për kryerje të veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje të paautorizuar”, tha Boshnjaku për “Ora Shtatë”.
“Sakaq, avokati i tij ka kërkuar që klienti i tij të lirohej në masa më të përshtatshme, pra në masën e arrestit shtëpiak, ku sipas tij nuk ka prova të mjaftueshme, të cilat sigurojnë se i njëjti është i dyshuar për kryerjen e këtyre veprave. Sipas avokatit, të vetmet prova janë çizmet e gjetura me baltë në oborrin e tij”.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.