Erion Veliaj: Kontrollet e BKH-së ishin pa vendim gjykate, kjo që po më ndodh mua, fajin e ka Sali Berisha
Këtë të martë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka reaguar sërish lidhur me kontrollet në banësën e tij dhe të familjarëve të tij, të ushtruara nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të premten e kaluar.
Veliaj thotë se ato kontrolle ishin pa urdhër gjykate, ndërsa për këtë që po ndodh ndaj tij dhe familjarëve të tij, fajin e ka kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili abuzon me ngjarjen.
REAGIMI I VELIAJT:
Mirëmëngjes,
Po e nis këtë reagim me një ndjesë të përulur për të gjithë ju, që jeni duke lexuar këto fjalë drejtuar një hiene të xhindosur, një qenie të paskrupullt, një kufome të pakallur të quajtur Sali Berisha – një ligësie, i cili e ka helmuar dhe fatkeqësisht, vijon ende ta helmojë e ta përçajë këtë vend prej 34 vjetësh.
Që kjo hienë, e cila nginjet çdo ditë me pisllëqet më të ndyra që nxjerr nga goja, është fundërrina e fundërrinave të këtij kombi, tanimë këtë e di i madh e i vogël. Ai e ka nxirosur vetë portretin e tij para shqiptarëve, si varrmihës i zgjedhjeve të lira, si gardian burgu për liderin e opozitës në vitet ‘90, si zhytës i Shqipërisë në kaos dhe gjakderdhje për pushtetin e tij në ‘97, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, kur varrosi 26 shqiptarë të gjallë në biznesin e tij familjar në Gërdec, si shantazhues i shtetit shqiptar, kur u kap live duke vrarë në 21 janar, dhe sot si një pengmarrës i opozitës shqiptare, të cilën ka vendosur ta marrë me vete në varr.
Që Zoti, duke e mbajtur gjallë për ta damkosur dhe tërhequr zvarrë, tani po i jep atë që kishte hak pasi e vrau, e dogji, e grabiti, e sakatoi këtë vend, edhe ky është fakt publik dhe historik, që e dini dhe e shihni çdo ditë me sytë tuaj.
Megjithatë, jargët e ligësisë së tij ka kohë që s’më bëjnë asnjë përshtypje. Por, duke qenë se hetimi pasuror, që po kryen SPAK-u për mua, është kthyer në një çorbë të prishur për të gjithë të uriturit për hakmarrje dhe të humburit që duan të ndjehen fitimtarë, po i them edhe unë dy fjalë.
Unë as jam marrë, as do të merrem me familjen e tij, por me krimet që ai ka bërë, të cilat shpresoj dhe uroj që drejtësia t’i zbardhë sa më shpejt, deri në fund, që hiena e fundit komuniste e Europës të marrë atë që meriton edhe nga drejtësia, pasi populli shqiptar e ka ndëshkuar me kohë, duke e flakur një herë e përgjithmonë në koshin e historisë.
Por, cila është e vërteta e ngjarjes që, së fundmi shfrenoi fantazitë mediatike dhe e solli turirin e hienës deri brenda shtëpisë time?
Në datën 5 Dhjetor jam nisur për një takim zyrtar me Kryetarin e Bashkisë së Hamburgut, dhe të nesërmen, në 6 Dhjetor, isha në Dhomën e Tregëtisë së Hamburgut, për të promovuar aty, për operatorët e interesuar gjermanë, Zonën e Lirë Ekonomike të Tiranës – TEDA.
Në mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartamentit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë.
Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.
Kjo është e gjithë ngjarja, e cila tregoi se as jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre. Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK.
Ah po, nuk kemi as para të padeklaruara dhe as taksa të papaguara nga të ardhurat tona, si shumë prej korbave të tyre.
Që nga dita që kam nisur këtë punë me Këndin e Lodrave te Liqeni, ku Opozitë e Presidencë bëheshin bashkë me pistoleta mbi kolovarëse, e gjer më sot, nga Teatri tek Astiri, e thuajse me çdo punë që kemi bërë, ku baltosja, paditë e çuditë nuk rreshtin së bombarduari dhe penguari këtë qytet, unë e kam marrë me vetëdijen e plotë të kostove të përballjes përditë me hiena e korba, përgjegjësinë e të çuarit përpara të Tiranës, me kokën lart për shumë punë të mira që kemi bërë dhe pa u fshehur, as kur është dashur të pranoj gabimet që janë bërë.
Ndryshe nga hiena që fut përditë turinjtë e pistë në çdo shtëpi të Shqipërisë dhe korbat që bëjnë krra-krra, ditë e natë, për llogari të tij, unë nuk e kam raportin me drejtësinë të përçudnuar as nga tmerri prej krimeve të bëra, as nga makthi i pasurive të fshehura dhe as nga dëshpërimi i humbjes së pushtetit për t’u rimarrë me çdo kusht.
Për mua, SPAK-u nuk është i drejtë kur godet kundërshtarët dhe i padrejtë kur më heton edhe mua vetë, qoftë edhe për paditë e bëra nga korbat. Më pëlqen a s’më pëlqen kjo që po ndodh aktualisht në raport me mua dhe a më duken a s’më duken, mua personalisht, të drejta të gjitha veprimet e SPAK-ut ndaj meje e familjes time, kjo nuk ka pikë rëndësie për mua institucionalisht. Prandaj, jo vetëm nuk i kundërvihem në asnjë formë veprimtarisë së prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut, por e mirëpres që ta kryejnë deri në fund, siç e mendojnë, detyrën e tyre.
Po çfarë do të ndodhte sikur edhe ne, socialistët, pas çdo hetimi apo transparence që kërkohet nga SPAK-u, ta sulmonim SPAK-un si bandë kriminale apo të organizonim protesta si hienat që e kanë mbajtur peng këtë vend prej dekadash?
Ky është dalllimi ynë: Ne i trajtojmë institucionet e drejtësisë si kolegë dhe shtetarë, opozita i konsideron banditë dhe tradhtarë. Ky është edhe dallimi i madh fare, që mua më bën të ndjehem shumë mirë përpara atyre që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur në tërë këto vite, që nga Edi Rama i pari, te shokët e forumeve të partisë, dhe qytetarët e Tiranës, që sot jetojnë në një qytet europian, në një metropol nga më të rëndësishmit e rajonit.
Për mua SPAK-u është institucion kushtetues i vendit tim dhe unë jam totalisht në dispozicion të hetimit, i bindur se, në fund, e vërteta do të triumfojë. Jam po aq i bindur në të drejtën time dhe shpresëplotë në profesionalizmin dhe pavarësinë e këtij institucioni kushtetues.
Pikërisht, ky është dallimi mes nesh dhe hienave që kemi përballë, i cili duhet të bëjë krenar çdo anëtar e votues të Partisë Socialiste dhe duhet të turpërojë, si shqiptar e si qytetar çdokënd që vazhdon duartroket dhe përshëndet mortjen Sali dhe shpurën e korbave të tij.