Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se e ka ndjekur nga afër procesin gjyqësor ndaj Nezir Mehmetajt, i cili u dënua të premten nga Serbia me pretendimin për krime lufte gjatë vitit 1999.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, MPJD-ja tha se për vendimin e dënimit prej 6 vjetësh, janë njoftuar shtetet e QUINT-it në Serbi dhe në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka alarmuar dhe njoftuar rregullisht institucionet e Bashkimit Evropian, shtetet e Kuint-it dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke ngritur shqetësime të vazhdueshme rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
MPJD-ja tutje tha se përfaqësuesit e saj kanë vizituar rregullisht Mehmetajn në burg, dhe se kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore ndaj tij, duke parë nga afër pretendimet e pabaza të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“MPJD i bën thirrje Serbisë që të ndalë veprimet e saj arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës dhe, njëkohësisht, kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër këtyre veprimeve të vazhdueshme të Serbisë”.