Grabitet dhe shkatërrohet pallati i Asadit

Pasi kryengritësit sirianë shpallën fundin e regjimit të presidentit Bashar al-Asad, qindra banorë të Damaskut hynë në pallatin presidencial luksoz, duke grabitur gjithçka me vlerë.

Në momentin e marrjes së kontrollit të kryeqytetit, kryengritësit shkuan gjithashtu në pallatin privat të Asadit në zonën Malke, ku bastisën ambientet dhe morën sende .

Në pamjet dhe fotografitë nga vendngjarja, shihen njerëz që ecin lirshëm nëpër hapësirat luksoze të pallatit, ndërsa disa, të revoltuar nga regjimi i Asadit, shkatërrojnë mobiliet dhe vjedhin sende me vlerë.

Sipas raporteve, janë grabitur dhe shkatërruar gjithashtu dhjetëra dyqane, banka, librari dhe objekte të shërbimit në Damask.

Në disa pamje nga pallati presidencial, shfaqen makina luksoze në garazh, pjesë e flotës së diktatorit. Hangari i madh është plot me makina që kushtojnë miliona, përfshirë Ferrari, Aston Martin, Rolls-Royce, BMW, Mercedes dhe Bugatti Veyron.