Osmani takon Muskin në Paris

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me miliarderin amerikan, Elon Musk, gjatë vizitës së saj në Paris. Në fokus të takimit, sipas presidentes kosovare, ka qenë efiçienca dhe efektiviteti i qeverisë, krahas luftimit të dezinformimit.

“Një bisedë e frytshme për efiçiencën dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit të vullnetit të popullit”, ka shkruar presidentja Osmani në llogarinë e saj në platformën “X” të dielën pasdite.

Osmani më herët ka dhënë detaje edhe nga takimi i saj me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, të shtunën në Paris. Ajo ka deklaruar se gjatë takimit ka rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara.

“Në Paris pata nderin ta takoja presidentin Trump dhe ta uroja atë për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë”.

Ndryshe, në administratën e Trumpit, themeluesi i kompanisë së makinave elektrike “Tesla” dhe asaj të raketave “SpaceX” do të drejtojë Departamentin për Efiçiencën e Qeverisë, i cili synon përmirësimin e efikasitetit dhe modernizimin e administratës publike duke përdorur teknologjinë për të rritur performancën e qeverisë.