Historitë e çmendura pas lirimit të të burgosurve në Siri: Nuk dinin se Hafez al-Assad kishte vdekur, menduan se i liroi ushtria e Saddam Hussein

Rezultati përfundimtar i një revolucioni të vërtetë me përfundim rënien e regjimit të Bashar al-Assad në Siri, ende mbetet për t’u parë.

Rebelët sirianë, të udhëhequr nga aleanca islamike Hayat Tahrir al-Sham, njohur shkurtimisht si HTS, kanë arritur të marrin kontrollin e qyteteve kryesore siriane, me “qershinë mbi tortë”, Damaskun.

Ndërsa nuk dihet se si do të shkojë fati i Sirisë, kjo kryengritje e armatosur e suksesshme po nxjerr në sipërfaqe edhe tmerret e lëna pas nga regjimi diktatorial i dinastisë Assad, me histori rrëqethëse nga burgjet dhe të liruarit.

Më të zakonshmet, ato të njerëzve, të cilët nuk dinë emrin e tyre. Nuk kanë asgjë, as të njohur, as të afërm, as adresë ku të drejtohen veç rrugëve siriane, të cilat janë të mbushura me njerëz që festojnë rënien e Assad.

Por ka edhe histori të çmendura, në kufijtë e të imagjinueshmes.

Disa prej të burgosurve në kushte tërësisht çnjerëzore, as nuk e dinin se Hafez al-Assad, babai i Bashar al-Assad, kishte vdekur që prej vitit 2000. Ata mendonin se regjimi që u përmbys ishte i tiji dhe jo i të birit, i cili e ka udhëhequr vendin nën një diktaturë strikte në dy dekada, mes tentativave për rebelim nga opozita.

Nga ana tjetër, akoma më i çmendur duket fakti se disa të burgosur, i janë gëzuar lirimit të tyre duke thirrur emrin e Saddam Hussein-it, ish-diktatorit të Irakut, të ekzekutuar në vitin 2006 pas dënimit me vdekje që iu dha në emër të popullit irakian.

Hermetizmi i burgut ka qenë i tillë, sa kalimi i informacionit ka qenë krejtësisht i pamundur dhe i pamendueshëm. Ngecja në kohë e të burgosurve, një makth i jetuar në qelitë pa dritë.

Një ish-pilot, i njohur edhe si “i burgosuri më i vjetër i regjimit”, pa dritën e lirisë pas 43 vjetësh. Dënimi i tij kishte ardhur për arsye që as mund të mendohen në botën e sotme të lirë. Ai thjesht kishte fituar një garë kalërimi ndaj djalit të Hafez al-Assadit, Bassel, gjë që i kushtoi lirinë.

E në fund, kur dikush mund të mendojë se i ka parë të gjitha, një fëmijë i mitur del nga një prej qelive të hapura prej rebelëve sirianë.

Besojeni ose jo, edhe ai ka qenë i burgosur i Assadit!