Thaçi: E di që është Kosova në prag të zgjedhjeve, unë s’jam pjesë e garës elektorale dhe s’paraqes rrezik për askënd

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk pa pasur mundësi ta lexoj aktakuzën nga Gjykata Speciale për “pengim të drejtësisë”, teksa ka hedhur dyshime se aktakuza e re ndaj tij është ngritur për arsyeje politike, duke theksuar se Kosova është në prag të zgjedhjeve nacionale, por ka shtuar se “nuk është pjesë e garës elektorale”.

“Krejt papritmas para dy tri ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS-ja. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale, por nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd. Unë besoj dhe respektoj ligjet e Kosovës dhe kërkoj nga të gjithë që të respektohet kushtetuta e Kosovës”, tha Thaçi gjatë seancës në Speciale.

“Tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shoqëria kosovare dhe unë presim drejtësi, për çka edhe besojmë në drejtësi”, shtoi ish-presidenti kosovar.

Tutje, ai ka theksuar se nuk ka pasur mundësi ta lexoj aktakuzën e Gjykatës Speciale për “pengim të drejtësisë”, meqë ka thënë se ka pasur angazhime tjera.

“Do të deklarohem me kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor”, ka deklaruar ai në seancën e parë dëgjimore. Akuzat ende nuk i kam lexuar në tërësi, prandaj duhet t’i lexoj për t’i kuptuar”, potencoi Thaçi.

Ndryshe, Thaçi akuzohet për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.

“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Pos Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.