Parlamenti nuk arrin ta shkarkojë presidentin jugkorean

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i mbijetoi sot një mocioni për shkarkim të iniciuar nga parlamenti i drejtuar nga opozita, duke shmangur një krizë të thellë politike në vend.

Mocioni, i cili erdhi si përgjigje ndaj një vendimi të diskutueshëm të presidentit për të shpallur përkohësisht gjendjen e luftës këtë javë, dështoi pasi anëtarët e partisë së tij në pushtet vendosën të bojkotojnë procesin e votimit, duke i hequr opozitës shumicën e nevojshme për ta miratuar atë, shkruan reuters.

Vendimi i Yoonit për shpalljen e gjendjes së luftës, ndonëse u tërhoq brenda një kohe të shkurtër, shkaktoi reagime të ashpra si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht, ku shumë kritikë që e konsideruan atë një veprim të nxituar dhe potencialisht destabilizues.

Opozita argumentoi se ky akt i presidentit përbënte një përpjekje për të konsoliduar pushtetin në mënyrë jodemokratike, duke shkelur parimet kushtetuese të vendit.

Megjithatë, përkrahësit e presidentit e mbrojtën veprimin si një masë emergjente përballë kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme, duke theksuar se tërheqja e shpejtë tregoi gatishmërinë për të reflektuar mbi kritikat.

Ndryshe, zhvillimet e fundit kanë përkeqësuar polarizimin politik në vend, duke shtuar tensionet midis administratës dhe opozitës, të cilat pritet të kenë pasoja afatgjata për stabilitetin politik dhe qeverisjen në Kore të Jugut.