Miliona britanikë u goditën nga një stuhi e fuqishme, dhjetëra mijëra mbeten pa energji elektrike

Miliona britanikë u paralajmëruan të qëndrojnë brenda dhe dhjetëra mijëra mbetën pa energji pasi mbrëmë e goditi ishullin stuhia Darragh.

Një paralajmërim i rrallë i kuq është lëshuar gjithashtu për erërat e forta që mund të jenë kërcënuese për jetën e njerëzve, shkruan bbc.

Pritet ndërprerje të konsiderueshme të energjisë elektrike në pjesën më të madhe të bregdetit të Uellsit dhe pjesë të Anglisë jugperëndimore.

Është anuluar edhe ndeshja e futbollit e Premierligës angleze mes Evertonit dhe Liverpoolit.

Priten shira shumë të dendur në shumë zona, veçanërisht në pjesët tashmë të prekura të Uellsit Jugor.

Gjithashtu janë anuluar fluturime të shumta të British Airways për dhe nga Heathrow, si dhe për në Paris, Shtetet e Bashkuara dhe Holandë.

Ndryshe, stuhia Darragh erdhi dy javë pas Bert, i cili goditi pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar dhe shkaktoi përmbytje të rënda në pjesë të Uellsit, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në mijëra shtëpi në Irlandë.