SHBA, gjykata kundër Tik Tok, mbështet kërkesën e qeverisë për shitjen e aksioneve të platformës kineze
Një Gjykatë Federale Apeli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbështetur masën ligjore që kërkon që kompania Kineze Byte Dance të shesë aksionet e saj të Tik Tok deri në fillim të vitit të ardhshëm ose në të kundërt aplikacioni nuk do të lejohet të përdoret në Shtetet e Bashkuara.
Ky vendim mund të apelohet nga kompania Kineze në Gjykatën e lartë Amerikane. Gjykata e Apelit që dha vendimin e saj këtë të premte mori parasysh sfidat ligjore me të cilat përballet Tik Tok dhe përdoruesit e kësaj platforme në SHBA.
Megjithatë Gjyqtarët u shprehën për vendimin e tyre se ligji dypartiak i hartuar dhe miratuar nga Kongresi ishte kulmi I një hetimi të gjerë dhe lidhej me kontrollin që ka një shtet kundërshtar I Huaj në SHBA.
Sipas Gjykatës së Apeli ky ligj i qeverisë Amerikane nuk mund të rrëzohej pasi është një përpjekje që dëshmon punën që është bërë për të eliminuar kërcënimet e sigurisë Kombëtare që vijnë nga Republika Popullore e Kinës. Ligjvënësit Amerikan që kërkojnë ndalimin e Tik Tok thonë se Kina po përdor këtë aplikacion për të mbledhur informacione tejet të ndjeshme mbi shtetet e Bashkuara, përfshirë këtu informacione për infrastrukturën kritike me synim goditjen e saj dhe shkaktimin e akteve të Sabotazhit.
Ky vendim konsiderohet një fitore e plotë për Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe një goditje shkatërruese për Byte Dance, kompani e cila duhet të shesë aksionet e saj deri në 19 janar ose në të kundërt do të përballet me mbyllje në SHBA për 170 milionë përdoruesit e saj atje.
Byte Dance mund të ketë mundësinë për të shtyrë afatin e shitjeve të aksioneve të saj me 90 ditë nga data 19 janar, vetëm nëse dëshmon se po punon për të gjetur një blerës potencial. Janari sjell edhe ndryshimin e Kreut të Shtëpisë së Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti i sapo zgjedhur Amerikan Donald Trump në mandatin e tij të parë u përpoq që të ndalonte këtë platformë Kineze, por përgjatë fushatës së tij presidenciale të këtij viti ai tha se nëse vjen në pushtet nuk do të lejojë ndalimin e Tik Tok.