I vazhdohet paraburgimi Haxhi Shalës

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur për vazhdimin e paraburgimit ndaj Haxhi Shalës, duke argumentuar se ekziston rreziku që ai të kryejë vepra penale të tjera, përfshirë pengimin e procedurave gjyqësore.

Ky vendim u bë i ditur nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, gjatë konferencës javore.

“Më 4 dhjetor, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Haxhi Shalës, duke konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes dhe ai për pengimin e procesit gjyqësor,” theksoi Griep.

Ajo sqaroi se masat e propozuara nga mbrojtja nuk e zvogëlojnë këtë rrezik.

Gjykata argumentoi gjithashtu se nëse Shala lirohet, ai mund të ndikojë tek dëshmitari 1 ose të manipulojë provat.

“Vetëm monitorimi brenda objektit të paraburgimit mund të zvogëlojë këto rreziqe,” shtoi Griep.

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për apelimin e një vendimi lidhur me pranimin e një dokumenti.

Sipas trupit gjykues, dokumenti ishte diskutuar gjatë seancës dhe nuk kërkohej prova shtesë për besueshmërinë e dëshmitarit.

Gjykata theksoi se vlerësimi i besueshmërisë së dëshmitarëve është përgjegjësi e tyre dhe do të bëhet pas përfundimit të të gjitha provave.

Griep njoftoi se këtë javë ka dëshmuar Sokol Bashota, si dhe dëshmitari i 110-të me masa mbrojtëse. Seanca e radhës për këtë rast është planifikuar për 13 janar 2025.

Në rastin e Pjetër Shalës, DhSK ka vendosur më 28 nëntor për redaktimet në dokumentet përfundimtare. Gjykata ka udhëzuar mbrojtjen të dorëzojë versionet publike të këtyre dokumenteve, duke marrë parasysh sigurinë e dëshmitarëve dhe viktimave.

Gjithashtu, Griep njoftoi për emërimin e Pjotër Hofmanski në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë, pas dorëheqjes së Antonio Balsamos për arsye profesionale.

Griep konfirmoi se ZPS-ja ka kryer disa bastisje dhe arrestime në Kosovë, ndërsa gazetarët u drejtuan për detaje të mëtejshme tek zëdhënësi përkatës.