BE-ja urdhëron ngrirjen e të dhënave të TikTok-ut pas akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet rumune
Bashkimi Evropian ka urdhëruar TikTok-un që të ngrijë të gjitha të dhënat, pas raportimeve se platforma e rrjeteve sociale, në pronësi kineze, ka qenë instrumentale në zbatimin e një fushate të orkestruar nga Moska për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Rumanisë.
Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) më 4 dhjetor ka deklasifikuar dokumente që thanë se shteti ishte cak i një “veprimi agresiv hibrid rus” që çoi në fitoren befasuese muajin e kaluar të kandidatit prorus të së djathtës ekstreme, Calin Georgescu, në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
CSAT tha se dokumentet treguan se Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ishte cak i disa veprimeve të koordinuara, që me gjasë u orkestruan nga një “aktor shtetëror” që çuan në fitoren e Georgescut në zgjedhjet e 24 nëntorit, i cili garoi si i pavarur.
Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – tha më 5 dhjetor se ka lëshuar “urdhër mbajtjeje” për TikTok-un në bazë të Aktit për shërbime digjitale, që të ruhen të dhënat “në lidhje me rreziqet aktuale apo të parashikueshme që shërbimi i tij mund të paraqesë ndaj proceseve zgjedhore dhe diskursin qytetar në BE”, tha KE-ja përmes një deklarate.
KE-ja shtoi se ky urdhër ishte i nevojshëm për të hetuar nëse TikTok-u po i përmbahet obligimeve që dalin nga Akti për shërbime digjitale.