Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi në kanalin kryesor të Ibër Lepencit ishte sipas rregullave të lojës së Rusisë, e cila sipas tij, sulmoi infrastrukturën kritike të Ukrainës.
Në një postim në platformën X, i pari i ekzekutivit tregoi se kështu u shpreh në takimin që e pati me komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Ndër tjera, Kurti potencoi se kërcënimet e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin fund.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për bashkëpunimin rajonal dhe theksova se kërcënimet e sigurisë duhet të marrin fund dhe ata që janë përgjegjës për sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën tonë kritike duhet të mbajnë përgjegjësi. Sulmi ishte ishte sipas rregullave të lojës së Rusisë, e cila sulmoi infrastrukturën civile kritike në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne e ngremë alarmin për aleancën e Rusisë me Serbinë, ka thënë Kurti.
Tutje, kryeministri shtoi se Kosova është e përkushtuar ndaj reformave të Bashkimit Evropian dhe Planit të Zgjerimit, dhe se mezi presin që të marrin pyetësorin e Këshillit të BE-së për anëtarësim.
“Mezi pres të bashkëpunoj me Kos për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka thënë Kurti.
Kurti është duke qëndruar në Bruksel nga e hëna dhe ka zhvilluar një mori takimesh me drejtuesit e rinj të institucioneve në BE.