Shkruan: Florim Zeqa
Edhe 112 vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar i gjen shqiptarët të ndarë dhe përçarë si asnjëherë më parë. Është ky një festim i gjatë i ditëlindjës së shtetit shqiptar, njëherit është një histori e gjatë, sa e lavdishme dhe krenare, po aq e dhimbshme dhe trishtuese e ndarjes së shqiptarëve në disa shtete dhe të shpërndarë gjithandej globit.
Vazhdon ndarja dhe copëtimI i trojeve etnike
Copëtimi i Shqipërisë ishte procesi i ndarjes së trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913. Copëtimi i vitit 1913 la pasoja të rënda për kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare deri më sot, me pasoja që vazhdojnë të rëndojnë mbi kombin shqiptar i cili është në tkurrje e sipër si pasojë e këtij copëtimi edhe në ditët e sotme.
Nuk është thënë kot, nësë nuk mësohet nga historia, ajo është e destinuar të përsëritet, por edhe më keq se më parë! Neve shqiptarëve, na është bërë dukuri, që, pas çdo vendimi historik të na vjen një ndarje e re!
Pavarësia e Shqipërisë e 1912-së, kombit tonë i kushtoj më ndarje të dhimbshme, ku jashtë kufijve shtetëror mbetën më tepër së gjysma e trojeve shqiptare të ndarë në pesë shtete sllavo-ortodokse.
Ndarje e cila vazhdon të jetë e tillë edhe pas 112 vjetësh. Shiptarët jashtë kufijve shtetëror, e vazhduan jetën e tyre në robëri shekullore duke festuar më shpresë nga viti në vit për një bashkim kombëtar, të cilin nuk na e solli as “albinbabadimri” në ketë 112 vjetor të pavarësisë, të cilin na e kishte premtuar gjysëmshekulli më parë!
Shteti i Shqipërisë i bëri 112 vjet jetë, prej të cilave, gjysmën i bëri nën lëvozhgën e komunizmit, duke e trajtuar gjithnjë çështjen kombëtare si kapitull të mbyllur!
Ishin shqiptarët në robëri dhe ata në Diasporë që mbajtën gjallë frymën kombëtare, bashkë më të edhe shpresën për një bashkim të trojeve etnike shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë e londineze të 1912-s.
Nga 1912-ta e deri në ditët e sotme nuk njihet asnjë përpjekje serioze e shtetit shqiptar për bashkimin e trojeve të veta, përderisa shtetet fqinjë vazhduan më politikat antishqiptare, më cungimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, duke i shtypur politikisht dhe shfrytëzuar ekonomikisht shqiptarët e robëruar.
Uniteti i shqiptarëve të robëruar, armë e fuqishme për bashkim
Mirëpo përkunder dhunës sistematike, represionit e formave tjera të shtypjes nga ana e pushtuesve serbosllav, shqiptarët e robëruar asnjëherë nuk u gjunjëzuan, por i vazhduan përpjekjet e tyre për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Rezistenca më aktive dhe më e organizuar e shqiptarëve të robëruar ndodhi përgjatë viteve të ’90-ta në Kosovë, në trojet e Dardanisë Antike.
Kontinuiteti i rezistencës aktive paqësore dhe luftës çlirimtare bëri që çështja e shqiptarëve ë Kosoves t’i kaloj kufijt kombëtar.
Organizimi poltik i viteve të ’90-ta në Kosovë ishte vazhdimësi e një kontinuiteti të gjatë, e cila rezistencës aktive paqësore i dha formë dhe përmbajtje mbarëkombëtare, si një lëvizje politike për çlirim dhe pavarësim të Kosovës nga Serbia, e cila u kurorëzua me luftën çlirimtare.
Lëvizja politike e viteve të ’90-ta dhe UÇK-ja janë dy lëvizje politike dhe ushtarake rreth të cilave u bashkuan të gjithë shqiptarët pa dallim ideologjik, fetar apo rajonal.
Bashkimi i Mitrovicës, hapi i parë drejt bashkimit kombëtar
Përderisa lëvizja politike e viteve të ’90-ta e shënoi një hap të madh të organizimit të shiptarëve nën okupim në formën e shtetit paralel. Ishte ky një hap i madh dhe i guximshëm që Kosovës i dha mundësi të përgatitet për rezistencën e armatosur në njërën anë, dhe në anën tjetër e sensibilizojë faktorin ndërkombëtar rreth çështjes së shqiptarëve të Kosovës në veçanti.
Ndërsa UÇK-ja i mobilizoj rreth vetes të gjitha forcat atdhedashëse në rezistencë të armatosur kundër pushtuesve serbë dhe e përshpejtojë realizimin e aspiratave të shumë gjeneratave për krijimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.
Pa bashkimin e pendës dhe pushkës do të ishte i pamundur çlirimi i vendit nga prangat e robërisë dhe arritja e pavarësisë nga Serbia.
Pavarësia e Kosovës është një hap i madh drejt realizimit të ëndërrave shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Forcimi i dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës do ti ndihmonte shumë shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, në forcimin e identitetit të tyre dhe të drejtave kombëtare.
Për t’u arritur kjo duhet më shumë punë e më pak festime! Zhytja e popullit në festime të gjata vetëm sa e ngadalëson arritjen e qëllimit. Më e dobishme është një ditë e punës për bashkim kombëtar sesa një vit festim!
Bashkimi shpirtërorë i shqiptarëve është hapi i parë dhe i domosdoshëm, pa të cilin nuk mund të bëhen hapa të tjerë drejt integrimeve kombëtare.
Në këtë 112 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, çarkullojnë shumë ide të bashkimit kombëtar, megjithatë diplomacisë shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë i mungon një Isa Boletin, që do t’i dridhte kancelaritë evro-perëndimore më kërkesën e bashkimit kombëtar.
Në fund, urimi më i mirë për ketë përvjetor të 112 të shtetit shqiptar, është ai që në 113 vjetorin e pavarësisë, ta kemi Mitrovicën e bashkuar si hapin e parë drejt bashkimit të trojeve etnike shqiptare.
Secili mund t’i krijojë çfarëdo dëshire vetës, por, pa bashkimin e Mitrovicës dhe veriut të vendit në tërësi, ideja e bashkimit të trojeve etnike do të mbetet vetëm dëshirë dhe iluzion i pambarim!
Urime 28 Nëntori, dita e flamurit dhe 112 vjetori i shtetit të parë shqiptarë!