Si çanta e gruas 2200 dollarë “fundosi” presidentin e Koresë së Jugut

Koreja e Jugut po përballet me një krizë të thellë politike pas tentativës së presidentit Yoon Suk-Yeol për të shpallur ligjin ushtarak si një përpjekje për të konsoliduar pushtetin e tij.

Kjo lëvizje e presidentit u cilësua nga analistët dhe opozita në Korenë e Veriut si një grusht shteti i dështuar. Vendimi i papritur i presidentit, që u zbatua vetëm për gjashtë orë përpara se të rrëzohej nga Parlamenti, ka shkaktuar një valë protestash popullore duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në detyrë.

Lëvizja e Yoon për të shpallur ligjin ushtarak ishte një përpjekje për të mbrojtur veten dhe gruan e tij, Kim Keon-hee, nga akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

Bashkëshortja e presidentit ka qenë në qendër të një skandali, pas një videoje të publikuar vitin e kaluar ku ajo shihet duke pranuar një çantë Dior, rreth 3 mln won, 2200 dollarë, të dhuruar nga një pastor koreano-amerikan.

Presidenti Yoon reagoi menjëherë ndaj video-s duke e quajtur atë si “marifet” që synonte të dëmtonte partinë e tij përpara zgjedhjeve legjislative. Ai justifikoi pranimin e çantës nga gruaja e tij, duke thënë se ajo ishte “thjesht shumë e këndshme për të refuzuar me zemër të ftohtë” një dhuratë të tillë. Kjo deklaratë vetëm sa e thelloi krizën, duke shkaktuar një valë zemërimi dhe duke minuar besueshmërinë e tij. Pjesa më e madhe e publikut e konsideroi këtë si një tentativë për të fshehur korrupsionin qeveritar dhe për të shpëtuar reputacionin e gruas së tij.

Partia e Yoon pësoi një humbje të madhe në zgjedhjet legjislative të prillit, një reflektim i zemërimit publik dhe i humbjes së besimit ndaj administratës së tij.

Me rritjen e tensioneve dhe protestave, opozita ka kërkuar dorëheqjen e Yoon dhe ka paraqitur një mocion për shkarkimin e tij. Ky akt, së bashku me përfshirjen e gruas së tij në skandale të tjera, ka ngritur pyetje për stabilitetin politik të vendit dhe të ardhmen e presidentit.