“Nuk bëj premtime që nuk mendoj se mund t’i mbaj”, Meloni e vendosur: Qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri do të jenë funksionale

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin e saj në lidhje me trajtimin e azilkërkuesve në kampin e Gjadrit. E ftuar në “Quarta Repubblica”, kryeministrja e Italisë tha se ka zgjidhje dhe po punon për këtë.

“Qendrat në Shqipëri do të punojnë. Nuk bëj premtime që nuk mendoj se mund t’i mbaj”, thotë Giorgia Meloni, e cila i përgjigjet gazetarit duke i thënë të mos shqetësohet se ka zgjidhje. “Po punoj”, tha kryeministrja për Quarta Repubblica në Rete 4.

Sipas Melonit, projekti është inovativ dhe “nuk është rastësi që i kushtohet vëmendje pothuajse nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.

“Është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve migratore. Prandaj pritet vendimi nga Gjykata Supreme dhe Gjykata e Drejtësisë e BE-së. Në çdo rast jam duke punuar edhe për zgjidhje të tjera dhe në fund do të funksionojë”, tha ajo.

Plani i Qeverisë Italiane për trajtimin e azilantëve në kampin e Gjadrit në vendin tonë po has në pengesa, pasi në dy raste Gjykata e Romës ka urdhëruar kthimin mbrapsht të emigrantëve që u sollën me anije në portin e Shëngjinit.