Shkruan: Florim Zeqa
Situata e krijuar në Veriun e Kosovës, është një problem i krijuar me qëllim të caktuar. Një “Kalë Troje” në Ballkan për interesa ndërkombëtare. Pra, këtë realitet ndarës nuk e ka krijuar populli i Kosovës, andaj si i tillë çfarë është nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri.
Veriu, bombë e kurdisur
Pavarësisht faktit se qeveria aktuale e Albin Kurtit po mundohet t’ia atribuoj vetes “suksesin” e përkohshëm në veri, është vetëm një mashtrim i madh për qytetarët e Kosovës, i ndërtuar me dakordim me Vuçiçin në Bruksel për qëllime elektorale!
Për të kuptuar më lehtë dhe më qartë të ashtuquajturin “sukses” të qeverisë së Kosovës në Veri, mjafton ta shikojmë realitetin. Strukturat paralele serbe nuk është që janë larguar nga veriu, ato janë aty duke e pritur momentin e duhur për të vepruar sipas urdhërave të qeverisë serbe në Beograd.
Loja e dyfisht e bashkësisë ndërkombëtare për qëllim e ka stabilitetin e jo zgjidhjen e problemit në Veri. Në njërën anë i mbështesin në heshtje veprimet e Albin Kurtit në Veri, ndërsa në tjetrën i vëjnë sanksione Kosovës për të njëjtat veprime! Në njërën anë e mbështesin lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në atë pjesë, ndërsa në tjetrën nuk e lejojnë hapjen e Urës kryesore mbi lumin Ibër!
Ky standard i dyfisht i bashkësisë ndërkombëtare përkthehet si mbështetje për serbët e veriut për të vazhduar me idenë e krijimit të Asociacionit, duke e mbajtur në dorë fitilin e “bombës së kurdisur për t’a aktivizuar në momentin që atyre ju konvenon për ndarjen e sferave të interesit në Ballkan!
Tërheqja taktike e strukturave paralele në Veri
Tërheqja e strukturave paralele nga institucionet e Kosovës dhe bojkototimi i zgjedhjeve lokale, është një hap i llogaritur mirë nga serbët e jo produkt i ‘Qeverisë së Kosovës’ siq pretenton kryeministri aktualë Albin Kurti.
Tendenca e Qeverisë së Kosovës për të paraqitur këtë zhvillim si sukses të politikës së saj, më tepër po e ndihmon krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) në Veri sesa po e pengon atë. Kjo është një politikë perfide nga e cila krijohet përshtypja tek qytetarët e Kosovës sikur strukturat paralele nuk janë më aktive në Veri.
Në fakt, ky është një mashtrim i madh përmes të cilit ‘Qeveria e Kosovës’ e ka krijuar iluzionin e fitores ndaj strukturave paralele serbe në Veri, e që në fakt është përgatitje e terrenit politik për nënshkkrimin formal të Asociacionit të dakorduar me Vuçiçin në Bruksel dhe në Ohër, për t’a arsyetuar me presionet ndërkombëtare!
Anipse ngjarjet e fundit duken si hapa drejt konsolidimit të sovranitetit në veri, faktet e thonë të kundërtën!
Kurdo që të mbahen zgjedhjet e reja lokale, të rregullta apo të jashtëzakonshme, serbët e veriut përsëri do t’i marrin institucionet lokale dhe gjithçka do të kthehet në pikën zero, me ç’rast strukturat paralele do ta kontrollojnë sërish veriun dhe do ta pamundësojnë funksionimin normal të institucioneve të shtetit të Kosovës në Veri!
“Fasadimi” i shtrirjes së sovranitetit në veri i ngjanë fasadimit të Urës mbi lumin Ibër e cila vazhdon të mbetet “mollë e ndaluar” për lëvizjen e lirë të automjeteve të shqiptarëve të pjesës jugore të qytetit të Mitrovicës!
Veriu do të vazhdoj të mbetet “Kalë Troje” mes serbëve dhe shqiptarëve dhe peng i interesave strategjike të fuqive të mëdha.
Thënë ndryshe, shtrirja e plotë e sovranitetit në Veri do të mbetet një iluzion për të gjitha qeveritë, përfshirë edhe këtë në ikje, derisa do të realizohen objektivat ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor.
Deri atëherë, të gjithë akterët, në veçanti ne shqiptarët do të jemi vetëm spektatorë të kësaj loje të planifikuar gjysëmshekulli më parë, ku ‘gurët e kufirit’ do të levizen sipas orekseve të fuqive të mëdha në dëm të shqiptarëve të ndarë, tani e 112 vjet më parë!