SPAK merr të pandehur Asllan Dogjanin, për çfarë akuzohet deputeti i PD-së

Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka marrë të pandehur, deputetin e PD-së, Asllan Dogjanin. Deputeti i PD-së, është marrë i pandehur për akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Asllan Dogjani, është nën hetim për shtëpinë e tij, pasi u kallëzua për fshehje pasurie. Më 4 nëntor për gati 2 orë Dogjani dha shpjegime për shtëpinë 100 metra katror që ka blerë në 2006.

Sipas Dogjanit, kallëzimi u bë nga ndërtuesi Ilirjan Çelaj, të cilin ai e quan ‘zaptues’, pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon, duke e kthyer në parkim me pagesë.

DEKLARATA E DOGJANIT ME 4 NENTOR PAS SEANCES DY ORESHE NE SPAK

Dogjani: Unë jam tek SPAK për një denoncim që kam bërë që nuk kam pranuar të hesht në lidhje me grabitjen e pronës publike në Tiranë. Është një pallat i ndërtuar në 2006 dhe ndërtuesi në vend të legalizonte pallatet, ka zaptuar një pronë dhe e ka legalizuar në mënyrë të paligjshme. Ky zbatues na ka zbatuar edhe kopshtet publike dhe e përdor për parkim privat. Ne si banorë iu dorëzuam me kallëzim SPAK. Kemi bërë ankesa.

Kjo tokë ka qenë tokë me pronar. Meqe ne bëmë këto ankesa, iu drejtuam edhe Kadastrës. Kadastra vetë mori një vendim anuloi legalizimin. Një tokë publike nuk mund të tjetërsohet. Unë kam komunikuar edhe me kryetarin e bashkisë, edhe me vetë Edi Ramën. I kam thënë se janë marrë hapësira publike dhe janë bërë parkingje.

Ka ardhur edhe vetë ministri Balla dhe ka thënë që do ta ndjekim. Tani mora vesh që ky mashturesi paska kushëri një deputet. Rama dhe Veliaj e organizojnë kurthin dhe i thonë këtij zaptuesit kallëzoni Asllanin për pasurinë. SPAK ështëe duke hetuar për shtëpinë time, për të cilën kam 20 vjet që jetoj atje me familjen.