Erdogani akuzon Eurovisionin se po “e kërcënon familjen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar garën evropiane të këngës “Eurovision” për “inkurajim të neutralitetit gjinor” dhe se kërcënon familjen tradicionale.

Në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit, Erdogani ka thënë se Turqia ka pasur të drejtë që ka qëndruar jashtë garës që nga viti 2012.
Me deklaratën kundër “Eurovisionit”, Erdogani dukej se i referohej këngëtarit zviceran Nemo që fitoi edicionin e 68-të më herët gjatë muajit me këngën “The Code”. Kënga ka të bëjë me identitetin jogjinor. 24-vjeçari u bë fituesi i parë që e identifikon veten si person pa gjini.

Gara në vazhdimësi është konsideruar si hapësirë e sigurt për komunitetin LGTBQ.

“Në ngjarje të tilla, është bërë e pamundur të takosh një njeri normal”, ka thënë Erdogani. “E kuptojmë edhe më shumë tani se kemi marrë vendim të duhur që e kemi lënë Turqinë jashtë kësaj gare të turpshme qe 12 vjet”.

Presidenti turk e ka cilësuar “kërcënim real” rënien e lindjeve në Turqi. Javën e shkuar, Instituti Shtetëror i Statistikave në Turqi ka njoftuar se shkalla e lindjes më 2023 ka rënë në vetëm 1.51 fëmijë për grua. Lideri turk ka bërë thirrje që çdo familje të ketë të paktën tre fëmijë.